Lajme

Këto janë të gjitha vendimet që i miratoi sot Qeveria e Kosovës

Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 5-të rregullt.

Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar disa vendime me rëndësi në fusha të ndryshme, përcjell “Bota sot”.

Më poshtë janë të gjitha vendimet që u morën nga Qeveria:

Miratuar vendimin për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila vepron në kuadër të ZKM-së, në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Miratuar vendimin për Themelimin dhe Funksionimin e Sistemit për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe  Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i këtij vendimi është vendosja e sistemit kombëtar për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Agjendën e Reformave të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike, si dhe përcaktimi i fushëveprimit, përbërjes dhe metodave të punës së strukturave koordinuese ndërinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për këtë instrument. Përmes këtij vendimi Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit emërohet Koordinator Kombëtar i Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike.

Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës. Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është krijimi i një baze ligjore dypalëshe, si dhe forcimi dhe thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale në mes të dy vendeve, duke lehtësuar procedurën ligjore, për të mundësuar bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas dhe harmonizim të procedurave.

Miratuar vendimin për përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian, për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike, ose për arsye të të drejtave të njeriut.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 55 (pesëdhjetepesë)   specializantëve me vetëfinancim nga kategoria ekonomike “Subvencione dhe transfere”, në vlerë prej 165,280.50 euro.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 37 (tridhjeteshtatë)  specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nga kategoria ekonomike “Subvencione dhe transfere”, në vlerë prej 385,654.50 euro.

Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Linja ajrore 110kV, parku me Erë – Zatriqi 1&2″.

Miratuar vendimin për themelimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të Reformës së Administratës Publike. Themelimi, funksioni dhe përbërja e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike, do të jetë struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të dokumenteve strategjike të Reformës së Administratës Publike dhe do të ketë këtë përbërje:

◦ Ministri i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, kryesues;

◦ Ministri i Ministrisë së Financave, anëtar;

◦ Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

◦ Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, anëtare;

◦ Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, anëtare; dhe

◦ Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar.

Miratuar vendimin për aprovimin e përshtatjes së ndarjeve buxhetore, sipas Rregullores (QRK) Nr. 04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për dhënien në shfrytëzim të ngastrave  kadastrale për Doganën e Kosovës. Bartja e të drejtës së shfrytëzimit bëhet me qëllim të shfrytëzimit nga Dogana e Kosovës për nevoja të ndërtimit të Terminalit Publik.

Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Qendrës për Sport dhe Kulturë”, Komuna Ferizaj.

Miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore KBI Ereniku, për nevoja të realizimit të Projektit “Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes”.

Miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25, Prishtinë – Podujevë.

Miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr.08/L-250 për Ndryshime Klimatike.

Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për Fondin e Ekselencës. Ministria e Financave sjell për aprovim vendimin për ndarje të mjeteve buxhetore në shumë prej 400 mijë euro, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, për realizimin e projekteve përmes Marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fondin e Ekselencës.

Miratuar vendimin për vazhdimin edhe për 3 muaj të mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Marrë vendim për mbështetjen e Orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” që do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës këtë vit në Spanjë, (Spring Symphonies) dhe në Çeki (Musica Orbis Prague Festival), në garën ndërkombëtare të orkestrave. Vitin e kaluar kjo orkestër është mbështetur nga Qeveria jonë dhe është renditur e dyta në botë duke u shpërblyer më çmimin e argjendtë. Artistët e rinj të orkestrës Amadeus të moshës 10 deri 16 vjeç, 55 anëtarë në tërësi do të mbështesim sërish në garë të madhe nga Fondi për Promovimin e vendit i paraparë me Ligjin e Buxhetit në vlerë prej 138 mijë euro, sipas kërkesës.

Të Ngjashme