Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kica-Xhelili: Nuk mund të bëjmë kompromise për një figurë të papranueshme

 
   

Dështon sërish zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili thotë se si parti nuk mund të bëjnë kompromis për një figurë e cila është e papranueshme për LDK, raporton KosovaPress.

Kica-Xhelili pas dështimit të seancës konstituive tha se nuk po sheh gatishmëri nga Lëvizja Vetëvendosje për konsensus dhe zgjidhje të kësaj situate.

“Ka parti të tjera politike që duken të gatshme të krijojnë një konsensus të tillë politik. Nuk kam parë ndonjë përafrim apo gatishmëri nga partia fituese që të bisedoj me ato parti politike të cilat janë të gatshme për një konsensus të tillë… Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptoj që kryekuvendari duhet të jetë përfaqësues i denj i Kuvendit të Kosovës jo përfaqësues politik. Dhe mendoj se këta po e dëshmojnë në vazhdimësi edhe përmes përfaqësuesit teknik Dehari që nuk i kanë të qarta rolet në Kuvendin e Kosovës. Mua më vjen keq që situata është e tillë qytetarët presin megjithatë që institucionet të themelohen sa më shpejt, por duhet ta mirëkuptojnë qëndrimin e LDK. Nuk mund të bëjë kompromise për një figurë që për ne është e papranueshme duke pas qasjen e saj ndaj vetë institucionalizmit dhe shtyllave demokratike të Kosovës”, thotë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar sërish të zgjedh Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, edhe në tentimin e katërt.

Emri i Haxhiut u propozua edhe të premten më 25 prill nga nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.

Me 118 deputetë të pranishëm në sallë, Albulena Haxhiu mori 57 vota për, 47 kundër dhe 3 abstenime.

Vazhdimi i seancës, tha Dehari, do të bëhet të dielën më 27 prill në orën 10:00.

Ky ishte tentimi i gjashtë për konstiuimin e Kuvendit të Kosovës.