Një ndërhyrje kirurgjikale robotike nga distanca shpëtoi jetën e një burri 62-vjeçar me kancer në prostatë, duke treguar fuqinë e tele-mjekësisë dhe kirurgjisë robotike. Pacienti ndodhej në Gjibraltar, ndërsa kirurgu, profesor i urologjisë Prokar Dasgupta, e operoi përmes një sistemi robotik nga Londër, në një distancë rreth 2,400 kilometrash.
Operacioni u realizua në spitalin St Bernard’s, i vetmi spital në territorin britanik jashtë ishullit, ku ndodhej një pajisje kirurgjikale robotike me katër krahë dhe kamera 3D. Nga Londra, Dasgupta kontrolloi robotin përmes një konzole në qendrën e tij të specializuar, duke kryer një prostatektomi të plotë heqjen e prostates së pacientit me vonesë minimale vetëm 0,06 sekonda midis lëvizjes së kirurgut dhe reagimit të robotit.
Pacienti, Paul Buxton, shprehu kënaqësinë e tij disa ditë pas operacionit, duke thënë se ndihej “fantastik” dhe se dëshironte të kontribuonte në avancimin e mjekësisë. Ai tregoi se shumë njerëz e kishin pyetur nëse ishte i sigurt për vendimin e tij, por ai vendosi ta marrë këtë eksperiencë si një mundësi të jashtëzakonshme.
Për Buxton, mundësia e kirurgjisë nga distanca ishte një alternativë më e shpejtë dhe më praktike sesa të udhëtonte drejt Londrës për t’u futur në listën e pritjes së NHS. Ai theksoi se operacioni ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm për shërbimet shëndetësore të Gjibraltarit, ku më parë pacientët duhet të udhëtonin në Londër apo Madrid për ndërhyrje të rënda.
Prof. Dasgupta e konsideroi ndërhyrjen një milestone për kirurgjinë robotike, duke shpjeguar se lidhja me sistemin robotik bëhej përmes fibrave optike dhe një rezervë 5G, ndërsa në spital kishte gjithashtu një ekip të gatshëm për të ndërhyrë në rast problemi teknologjik.
Kirurgjia robotike nga distanca po zhvillohet me shpejtësi në mbarë botën dhe ofron përfitime të mëdha për pacientët në zona të largëta, duke kursyer kohë, kosto dhe shqetësime nga udhëtimet për trajtim. Profesor Dasgupta planifikon të kryejë një ndërhyrje të ngjashme më 14 mars, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në konferencën e Shoqatës Europiane të Urologjisë, ku do të marrin pjesë rreth 20,000 kirurgë.
/vizionplus.tv
