Personi i plagosur në rastin e sotëm tragjik në Livoç të Ulët të Gjilanit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, tha për KosovaPress se personi i plagosur ka marrë trajtim mjekësor në sallën operative dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kujtojmë, dy persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur sot si pasojë e shtënave me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit. Policia rajonale e Gjilanit ka njoftuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:25.
Sipas informatave fillestare, policia thotë se dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare, por deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje ende nuk dihet.
I dyshuari është vetë dorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.
