Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kjo gjë duhet t’i bëhet e qartë Serbisë”, analisti ‘zbulon’ planin serb, kjo treshe ndërkombëtare po pengon marrëveshjen finale!

Kosova dhe Serbia si duket janë mjaftë larg një marrëveshje përfundimtare.

Edhe pse është folë se këtë vit mund të përfundoj procesi i dialogut me Serbinë, por situata aktuale është krejt ndryshe.

Ka muaj që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiqin në Bruksel.

Situata aktuale në veri, dhe themelimi i asociacionit janë çështjet kryesore që larguan procesin e dialogut.

Analisti politi, Gani Qarri thotë se, që në fillim duhet theksuar fort, se me tjetërsimin e përmbajtjes së temave dialoguese dhe ndryshimin e pikave të marrëveshjes, me ç`rast, për habi, nga tryeza e bisedimeve, u hoq njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe u fut si çështje me prioritet asociacioni i komunave me shumicë të pjesëtarëve të pakicës serbe.

Kjo bëri që është komplikuar shumë më tepër procesi i dialogut dhe çdo mundësi për përfundim të shpejtë të dialogut.

“Ndaj në mënyrë që njëherë e mirë të marrin fund problemet me Serbinë hegjemoniste e cila edhe 24 vite pas përfundimit të luftës, shpreh hapur pretendimet për gllabërim të territoreve jetike të Kosovës, marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve dialoguese, medoemos duhet ta përmbaj në vete, njohjen e ndërsjellë, ta garantojë territorin dhe ruajtjen e karakterit unitar të shtetit të Kosovës!”, thotë Qarri.

 Image Gani Qarri 

Ai shton se, marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel dhe ajo e 18 marsit në Ohër, të konstruktuara nga Eskobar dhe Lajçak e Borell, çuditërisht vetëm me dakordim gojorë, pa siglimin e tyre me nënshkrim nga Serbia dhe Kosova, ka krijuar aq shumë huti dhe lënë hapësira aq të mëdha Vuçiqit për manipulime, sa që menjëherë pas përfundimit të takimit në Ohër, Vuçiqi deklaronte publikisht se, përderisa ai nuk ka vendosur asnjë nënshkrim në marrëveshjet e dakorduara, ato për të dhe Serbinë nuk janë marrëveshje obligative, ndaj Serbia do t’i zbatojë vetëm ato që i përshtaten asaj.

Kjo mënyrë e paprecedent e akceptimit të marrëveshjeve, të tilla të pazakonta, nga BE dhe emisari amerikan Gabriel Eskobar, mprehja e brirëve Vuçiqit nga ambasadori Hill në Beograd dhe animi i hapur i Borellit, Lajçakut e herë herë edhe i vet emisarit Eskobar, për çka ai së fundi, mori kritika të ashpëra edhe në Senatin amerikan, çoi në tendosje të reja, si tensionet e fundit Kosovë-Serbi, për shkaktimin e të cilave Vuçiqi u kujdes me të madhe, duke dërguar edhe grupe të specializuara të BIA-së nga Serbia, të cilat iu bashkuan bandave kriminale serbe në veri të Kosovës dhe sipas sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, plagosën jo vetëm policë e civilë por edhe mbi 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjë që shkaktoi edhe bllokimin total të dialogut, Kosovë-Serbi”, potencon ai.

Analisti pohon se, Kosova dhe Serbia, kanë filluar dialogun dypalësh, qysh në vitin 2011, dhe për më tepër se një dekadë janë zhvilluar bisedime në mënyrë intensive, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’u hapte rrugë shumë proceseve të rëndësishme për të dyja vendet, por deri më tani, nuk është arritur as pjesërisht qëllimi i synuar.

“Dhe krejt kjo, për faktin se përderisa Kosova më 2008 ka shpallur pavarësinë e saj shtetërore, në të gjithë territorin e vet dhe kufijtë e saj aktual, akt që me 22 korrik 2010, është vulosur edhe nga GJND, Serbia edhe pas gati një çerek shekulli nga çlirimi i Kosovës, vazhdon të shpreh pretendime të hapura territoriale dhe tenton ta gllabërojë edhe me forcë, një nga pjesët më vitale të vendit tonë, siç është veriu i Kosovës, ku gjenden edhe minierat kryesore të Trepçës dhe rezervat më të mëdha të ujit, si Liqeni i Ujmanit, pa të cilat Kosova, në fakt nuk mund të mbijetojë ekonomikisht dhe as të ekzistojë më si shtet”, thotë ai.

Analisti pohon se, marrëveshja e 27 shkurtit nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën.

“Duke qenë se as në marrëveshjen me 11 nene të 27 shkurtit 2023, Serbia nuk obligohet që ta njohë Kosovën, por vetëm kërkohet nga të dyja palët, që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, për të rifilluar dialogu i ngecur dhe arritur marrëveshja përfundimtare, Serbisë duhet t’i bëhet saktësisht e ditur, se nuk do të ketë ndarje as bosnjëzim të Kosovës me “republika srpska”, si dhe të zëvendësohen sa më parë, që të jetë e mundur, të paktën njëri nga ndërmjetësuesit e BE-së, me një diplomat të lartë gjerman, ngase që të dy, Borell dhe Lajçak vijnë nga shtetet mosnjohëse të Kosovës dhe mbajnë hapur anën e Serbisë, si dhe të zëvendësohet urgjentisht z.Eskobar me një emisar tjetër më koherent amerikan”, thotë Qarri.

Kjo për faktin se, sipas analistit, ata me qëndrimin dhe sjelljet e tyre, kanë dështuar tërësisht në çuarjen përpara të bisedimeve, akt që është dëshmuar si mënyra më ireale, me të cilin nuk mund të përmbyllet asnjë dialog, sepse siç shihet, asnjëri nga treshja ndërkombëtare, përveçse mbajnë anën e Serbisë, nuk kanë as vizion të qartë për të ardhmen politike të Ballkanit Perëndimor.

“Kështu që, jo vetëm Borell e Lajçak, por as emisari Eskobar, nuk po shihen më si ndërmjetësues të paanshëm dhe as si lehtësues real të bisedimeve, por më tepër, si pengesë, për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, për përmbylljen e të cilit nevojiten medoemos, ndërmjetësues më të sinqertë e koherent, sepse me treshen aktuale në krye, askush më, nuk mund të jap, jo vetëm parashikime të sakta, por as ide hipotetike të përafërta, ngase Kosova për hatër të asnjë lloj ndërmjetësuesi a emisari, nuk mund t’i falë tokat e veta Serbisë, as ta flijojë shtetësinë e arritur me aq shumë gjak e mundi të disa brezave dhe gjeneratave”, përfundon analisti politik Gani Qarri.