Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kllokoqi: Furnizuesit hezitojnë për shkak të paqartësive në procesin e liberalizimit

 
   

Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ka folur për ecurinë e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë dhe sfidat që po shfaqen në këtë proces.

Sipas tij, mungesa e qartësisë dhe vonesat në vendimmarrje po ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen e furnizuesve dhe në mënyrën se si ata i ofrojnë kontratat për konsumatorët.

“Kam pasur rastin të shoh dy oferta që u janë bërë konsumatorëve. Këto oferta nuk janë fikse – ato janë me indeksim. Kjo ndodh sepse furnizuesit kanë paqartësi për mënyrën si po zhvillohet liberalizimi,” tha Kllokoqi.

Ai shtoi se furnizuesit seriozë nuk hyjnë në treg pa një vendim të qartë që e mundëson liberalizimin.

“Furnizuesit vijnë vetëm kur ka një vendim që liberalizon tregun. Kur nuk ka liberalizim, nuk ka arsye që ata të vijnë – sepse nuk ka konsumatorë që mund t’i shërbejnë.”, tha Kllokoqi.

Përsa i përket numrit të furnizuesve në treg, Kllokoqi theksoi se prezenca e tyre nuk është domosdoshmërisht tregues i konkurrencës reale.

“Numri i furnizuesve në treg nuk e tregon gjendjen reale. Edhe nëse janë 5 apo 20, vetëm 3 ose 4 kompani kanë bërë oferta për konsumatorët.”, deklaroi Kllokoqi.