Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Koci: Politikanët po shfrytëzojnë zbrazëtitë juridike të Kushtetutës së Kosovës

 
   

Milazim Koci, analist në FIVE, ka folur lidhur me dështimin për herën e 31-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se është e vështirë të kuptohet se çfarë është duke ndodhur në Kuvendin e Kosovës me dështimet e njëpasnjëshme.

“Asnjëra palë nuk e ka shumicën”, ka deklaruar ai, duke shtuar se as Lëvizja Vetëvendosje, e as partitë ish-opozitare nuk e kanë shumicën.

Koci ka thënë se përveç mungesës së komunikimit, një faktor tjetër që e ka shkaktuar krizën është edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Ky aspekt pak është duke u apostrofuar në Kosovë”, ka thënë ai, duke konsideruar se ka lënë zbrazëti juridike.

“Nëse ka hapësirë për manovrime, politikanët në çdo vend në botë e shfrytëzojnë atë hapësirë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se duhet të jetë i kufizuar aspekti kohor sa i përket mandatarit të parë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Gjithashtu, ai konsideron se edhe të parit nuk duhet me domosdoshmëri t’i takojë e drejta për ta pasur kryetarin e Parlamentit.

“Është krijuar përshtypja se grupimit të parë i takon e drejta e kryetarit të Parlamentit. Unë mendoj se kjo nuk qëndron. I takon e drejta e propozimit dhe e drejta e emërimit nëse e ka shumicën. Nëse nuk e ka shumicën, unë mendoj se në çdo demokraci parlamentare do të duhej t’i kalonte ajo grupimit të dytë, partisë së dytë”, ka thënë ai ndër të tjera.