Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Komisionerja e FSK-së dhe homologu gjerman flasin për bashkëpunim

 
   

Komisionerja Parlamentare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj, priti sot në Kuvendin e Kosovës Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, Henning Otte, i shoqëruar nga Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe atasheu ushtarak kolonel Guido Altendorf.

Takimi u zhvillua në praninë e Koordinatorit të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Nur Çeku, dhe zyrtares së lartë të Komisionit, Zare Aliu. Temë qendrore e diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve homologe, ndarja e praktikave më të mira për mbikëqyrjen civile demokratike, respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve në shërbim, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.

Bëhet e ditur se Zeqiraj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme gjermane dhe theksoi përkushtimin e saj për ndërtimin e një institucioni funksional dhe të besueshëm për ushtarakët e FSK-së, Parlamentin dhe shoqërinë. “Bashkëpunimi me partnerët, përfshirë palën homologe gjermane, është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur për avancimin e këtij institucioni”, tha ajo.

Nga ana e tij, Komisioneri Otte shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ftoi Zeqirajn për një vizitë në Berlin. Ai vuri në dukje se përvoja gjermane në mbikëqyrjen civile dhe zhvillimin e kapaciteteve të forcave të armatosura mund të shërbejë si model për Komisionerin Parlamentar të FSK-së.

Institucioni i Komisionerit Parlamentar për FSK-në, i themeluar në vitin 2024 mbi modelin gjerman, ka për qëllim të avancojë përgjegjësinë, transparencën dhe profesionalizmin e forcave të sigurisë të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve homologe, i nisur nga Zeqiraj dhe komisionerja gjermane Eva Högl, po vazhdon dhe pritet të konsolidohet edhe në të ardhmen, thuhet tutje në këtë njoftim.

Kjo vizitë shënon herën e parë që Komisioneri Parlamentar gjerman Otte viziton Kosovën pas zgjedhjes së tij nga Bundestagu në qershor të këtij viti.