Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, ka nisur shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në kushte të vështira jetësore, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Sipas njoftimit zyrtar, shpërndarja e ndihmave po realizohet nga zyrtarë të Komunës së Gjilanit së bashku me përfaqësues të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, me qëllim të mbështetjes së kategorive më të cenueshme sociale.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se janë shpërndarë miell dhe artikuj të tjerë elementarë për familjet në nevojë, në kuadër të këtij aksioni humanitar.
“Këto ndihma janë për qytetarët tanë që kanë nevojë për mbështetje, me qëllim që asnjë prej tyre të mos ndihet i vetmuar apo i lënë anash” tha Hyseni.
Ai falënderoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan për bashkëpunimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.
