Lajme

Kongresmeni amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO elementi kyç stabilizues

Në një forum të zhvilluar në Uashington për sigurinë dhe investimin në mbrojtje, kryetari i Partisë Republikane në Shqipëri, Fatmir Mediu, dhe kongresmeni amerikan Kieth Self diskutuan rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe rolin e NATO-s për stabilitetin në Ballkan.

Mediu falënderoi kongresmenin Self për angazhimin e tij ndaj Evropës dhe veçanërisht ndaj vendeve të Ballkanit, duke theksuar mbështetjen që ka dhënë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Nga ana e tij, Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme, vuri në dukje se investimi prej 5% në mbrojtje është jetik për të forcuar partneritetet brenda NATO-s dhe për të rritur stabilitetin në Europë dhe Ballkan. Ai theksoi se siguria në rajon është delikate, duke e përshkruar Ballkanin si “një fuçi baruti”, dhe argumentoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një element stabilizues kyç.

Mediu theksoi rëndësinë e dakordësisë së të gjitha vendeve të NATO-s për nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe nënvizoi se kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe partneritet në rajon. Ai gjithashtu falënderoi komunitetin shqiptar në Dallas, Teksas, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, shkruan BalkanWeb.

Ky forum nënvizoi edhe njëherë rolin strategjik të Ballkanit në NATO dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis aleatëve për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon.

Të Ngjashme