Lajme

Konjufca i bën thirrje Speciales: Mos merrni vendim politik, por të drejtësisë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për vendimin që Gjykata Speciale do ta marrë më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës në rast se ata do të dënohen, Konjufca i bëri thirrje Gjykatës së Hagës që të mos merr asnjë vendim politik, por të bëjë vendim të drejtësisë.

Konjufca, Gjykatës së Hagës për vendimin e shtatorit: Mos merrni vendim politik, por të drejtësisë

“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, po të bëjë vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çfarë është drejtësia. Se ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni në mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.

Tutje, ai tha se oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme dhe këtë e kanë bërë sepse UÇK-ja ka kontribuar në ndaljen e gjenocidit të Millosheviqit, e sipas tij, ky është kuptimi i luftës së UÇK-së.

Konjufca: Të akuzuarit në Hagë i kanë kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit

“Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë? Sepse ushtria jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviçit. Kjo është kuptimi i luftës së UÇK-së. E të gjithë të akuzuarit në Hagë i kanë kontribuar këtij qëllimi. E kjo është drejtësia, nëse vendoset me drejtësi, vendoset kështu. E ne, nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar, shumë të revoltuar, nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”, tha Konjufca.

Të Ngjashme