Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka folur nga Haga për procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Konjufca i ka quajtur skandaloze deklaratat e Prokurorisë lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë. Ai u shpreh i bindur se asnjë pretendim i ZPS-së nuk do të arrij të argumentohet, për çka tha se pret lirimin e tyre dhe kthimin në Kosovë, raporton KosovaPress.
Kryediplomati kosovar tha se në Hagë përfaqëson qëndrimin shtetëror, dhe nuk është si person privat. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, nesër do të marrë pjesë në galeri brenda Speciales, për të përcjellë fjalimin e katërshes se UÇK-së.
Konjufca: Erdha në Hagë, ta ngrisim zërin shumë e të dëgjojë e gjithë bota që nuk gjykohet lufta e UÇK-së
“Kur po prisnim që më në fund bashkësia ndërkombëtare ta krijonte një gjykatë ku vërtetë në mënyrë serioze do të trajtoheshin te gjitha ato dhjetëra mijëra vrasje, si pjesë e gjenocidit që e ka bërë Serbia në popullin e Kosovës, na doli një raport për trafikim organesh, e cila çoi deri në krijimin e një gjykate ku në shënjestër ishin drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo me thënë të drejtën ka qenë një padrejtësi e madhe dhe e pakuptueshme nga shume kush sepse ka qenë tentim i cili unë shumë besoj qe do të dështojë, por së paku ka qenë tentim shumë i rrezikshëm për të barazuar atë që ka bërë Serbia me atë që është rezultat i luftës së UCK-së. Nuk barazohen këto dhe ne edhe si persona të cilët kemi përgjegjësi shtetërore edhe si qytetarët të cilët marshuan u bashkuan populli pa dallim të pozicione e, u bë bashkë i madh edhe i vogël sot në Prishtinë. Pikërisht për këtë qëllim që jemi ne sot këtu, e qëllimi është ky qe ta ngrisim zërin shumë e të dëgjojë e gjithë bota që nuk gjykohet lufta e UÇK-së. Aktakuza nuk është për individë, aktakuzën e kam lexuar disa herë dhe besoj qe e kam studiuar mirë, ajo e gjykon luftën e UCK-:së, natyrën e luftës tonë çlirimtare”, ka thënë ai.
Tutje, Konjufca tha pretendimet e ZPS-së se UÇK ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale janë gënjeshtra.
Konjufca: Te shtrembërohet kjo luftë, është e padrejtë
“Te shtrembërohet kjo luftë, t’i mveshet kësaj lufte diçka tjetër me shumë se sa luftimi i okupatorit, se sa shporrja e Serbisë prej Kosovës, se sa mbrojtja e popullit prej makinerisë gjakpirëse dhe gjenocidale, kjo është e padrejtë se qaty përfundon prej çka t’i mund të thuash për UÇK”, ka shtuar Konjufca.
Ai tha se gjithçka që është bërë ose jo nga institucionet gjatë kësaj kohe, kanë qenë ne konsultime me ekipet mbrojtëse. Kështu u përgjigj Konjufca, derisa u pyet lidhur me atë që kishin pretenduar për themelimin e një mekanizmi mbikëqyrës.
Konjufca: Ne nuk kemi dashur të bëjmë diçka pa e pasur pajtueshmërinë deri në instancë të fundit
“Gjithçka që deri tash kemi ndërmarrë përveç obligimeve esenciale, prej fondeve të dedikuara deri te ato që shkojnë si procedura të cilat ka qenë e kyçur edhe ambasada për lehtësimin e gjitha vizitave këtu të familjeve, të gjitha ato tjerat deri te rezoluta e fundit, gjithmonë nuk kemi dashur të ndërmarrim diçka në mënyrë të njëanshme pa u konsultuar me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Pra gjithçka që është bërë dhe nuk është deri tash, është bërë apo nuk është bërë në konsultim të vazhdueshëm me ekipet mbrojtëse. Ne nuk kemi dashur të bëjmë diçka pa e pasur pajtueshmërinë deri në instancë të fundit…këtë ua thash dhe kjo është e vërteta se deri tash gjithçka qe është ndërmarrë edhe kur ndonjëherë negociatat kanë ardhur shumë afër të diçkaje qe të bëhet diçka e veçantë gjithmonë deri tash janë bërë në bashkëpunim, në bisedë dhe negociata ne atë çka kanë parë më të arsyeshme ata të cilët janë më të thirrurit ne këtë proces “, përfundoi ai.
Sipas tij, Kosova e ka bërë më të mirën për shpenzimin e fondeve në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Konjufca: Nesër e kemi ditën D
“Unë nuk i kam qejf pyetjet që shkaktojnë përçarje. Nesër e kemi ditën D edhe ashtu siç ishim të bashkuar në Prishtinë, uroj qe edhe nesër të jemi të bashkuar. Dhe pikërisht për këtë arsye po uroj qe për shkak të këtij bashkimi dhe për shkak qe kur është çështja te UÇK askush nuk mund të na përçaj, edhe Gjykata do ta shoh më qartë këtë unitet tonin me marrë një vendim i cili është në përputhje me të vërtetën historike dhe ky vendim është që në UCK nuk ka pasur ndërmarrje kriminale por çlirimtare, përtej kësaj unë jam fort i bindur qe asgjë prokuroria nuk do të mund të vërtetojë, me deklarata politike ato janë tjetra, si ajo më skandalozja që ke qe krejt botën e ka mashtruar kjo ndërmarrje kriminale e ashtuquajtur, ajo ke për t’u tmerruar prej sikleti. Por për të vërtetën historike nuk do të mund asnjë fakt me qit prokuroria. Dhe kur ta bënë bilanci pas 60 ditëve gjykata unë uroj fort që ta marrë një vendim profesional”, përfundoi ai.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
