Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kujtuar sot 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar 24 marsin 1998 si një nga momentet më vendimtare të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në komunikatën e tij, Konjufca ka theksuar se beteja e Gllogjanit shënoi pikën ku “u dëshmua se vullneti për liri nuk mund të thyhet me rrethim e as me forcë”.
“Ajo ditë nuk ishte vetëm një betejë; ishte një kthesë që e bëri të qartë se populli ynë kishte hyrë në një fazë të pakthyeshme të luftës për çlirim,” ka deklaruar Konjufca. Ai ka nderuar sakrificën e dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët, sipas tij, u shndërruan në simbol të një frymëzimi të gjerë kombëtar.“Nga ajo ditë, qëndresa në Dukagjin nuk ishte më vetëm lokale, por u bë thirrje për mobilizim në mbarë Kosovën,” ka shtuar ai.
Konjufca ka theksuar se kujtimi për dëshmorët është “obligim për të tashmen dhe të ardhmen”, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i guximit dhe vetëmohimit të tyre.
“Përgjegjësia jonë është ta forcojmë shtetin, ta mbrojmë atë dhe ta zhvillojmë me dinjitet,” ka përfunduar Kryetari i Kuvendit.
Në fund, ai ka shprehur nderimin e tij për të gjithë të rënët:
“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Epopesë së Dukagjinit dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës.”
