Lajme

Konjufca pret Ambasadorin gjerman Rudolph

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, priti në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Sh.T. Rainer Rudolph.

Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Rudolph e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin dhe riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, një partneritet që tejkalon dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore që kanë vendet tona. U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i diasporës sonë në Gjermani dhe i bizneseve të shumta që qytetarët tanë kanë ndërtuar atje, duke nënvizuar nevojën për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe të bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe për zhvillimet rajonale dhe procesin e dialogut, si dhe për rëndësinë e vazhdimit të koordinimit dhe angazhimit për stabilitet dhe përparim në rajon. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Të Ngjashme