Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe kandidati i propozuar për postin e Presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka ftuar partitë opozitare që të propozojnë një emër, qoftë edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani si kundër-kandidate të tij për këtë post.
Në një prononcim para medieve Konjufca ka deklaruar se fakti që opozita nuk e propozon asnjë emër për postin e presidentit tregon se ata janë të përcaktuar për ta dërguar vendin në zgjedhje.
Ai ka thënë se do ta votonte edhe personalisht Vjosa Osmanin për postin e presidentes.
“Po le ta propozojnë, po pra Vjosa Osmanin ose këdo që dëshirojnë edhe unë vet kam për ta votuar, por ata nuk po duan të propozojnë. Unë konsideroj që nëse nuk e propozojnë, nëse opozita nuk e thotë as edhe një emër, qoftë edhe një neutral le të na e gjen- atëherë kjo është përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje nga ana e opozitës, jo nga ana jonë”, ka deklaruar Konjufca.
Ndryshe, sot është dita e fundit kur vendi mund t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet, e ka kandiduar Glauk Konjufcën, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për pozitën e presidentit.
Por, për t’u thirrur seanca nevojitet edhe një kandidat i dytë, që duhet propozuar me sigurimin e 30 nënshkrimeve.
