Policia e Kosovës (PK) ka dhënë detaje lidhur me aksionin që u zhvillua të hënën në Ndërmarrjen publike regjionale e pastrimit “Ekoregjioni” në Prizren, ku u arrestuan dy persona.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se janë kryer bastisje në banesat e tre të dyshuarve, në ndërmarrje dhe në një biznes privat, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Policia bën të ditur e në cilësi të provave materiale janë konfiskuar disa dokumente (kontrata) të cilat ndërlidhen me rastin, një armë të gjatë me një karikator dhe 20 fishekë, dy laptopë, para dhe dëshmi të tjera.
Rasti u iniciua si “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
“Prizren-2023/2024. Njësitë policore, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga gjykata kanë kryer bastisje në shtëpitë dhe banesat e tre të dyshuarve meshkuj kosovarë, si dhe në një ndërmarrje publike dhe në një biznes privat. Gjatë kontrollit në cilësi të provave materiale janë konfiskuar disa dokumente (kontrata) të cilat ndërlidhen me rastin, një armë e gjatë me një karikator me njëzet fishekë, dy llop-top, para si dhe dëshmi tjera relevante për rastin. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në aksionin e së hënës u arrestuan dy persona pas hulumtimit të zhvilluar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me tenderin afër 400 mijë euro për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese. Prokurori i rastit, Halim Borovci konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se përveç bastisjeve në zyrat e Ekoregjionit, është bastisur dhe shtëpia e kryeshefit Burim Shala. Në anën tjetër, Kompania tha se Shala ndodhet në një udhëtim në Itali për arsye familjare dhe se brenda javës pritet të kthehet.
Ndryshe, prokurori Borovci ka konfirmuar të hënën për “Betimi për Drejtësi” se të arrestuar në këtë aksion janë Arbër Gashi- shef i njëjsisë së ekoregjionit në Prizren dhe R.Z.- nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionat.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z. A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.
Prokuroria bëri të ditur se hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
