Aktuale

Korça Republikë?! – 6 orë për në Tiranë, 3 orë për në Selanik…

Nga: Eduart Bardhushi

Arritja më e madhe dhe historike e “Rilindjes” është kjo: Pas 13 vitesh qeverisje, juglindja u izolua me sukses, jo me gardh, jo me tela me gjemba… por me rrugë që shemben, ura që lëkunden dhe alternativa që të lodhin shpirtin!!!

Sot, për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen 6–7 orë, të jemi të qartë…nëse nuk bie ndonjë masiv dheu rrugës, nëse nuk bllokohesh në ndonjë kthesë me kamionë, ose nëse nuk vendos të kthehesh mbrapsht nga nervat…

Rruga Librazhd-Korçë? Histori gjeologjie.

Alternativa nga Gramsh-Maliq-Korçë? Turizëm ekstrem FALAS!

Epo tani në këtë pikë lind pyetja logjike: Mos vallë “Korça Republikë” nuk është më shprehje, por realitet infrastrukturor?

Se e thënë troç, ndërkohë që lidhja me kryeqytetin është kthyer në sfidë që kërkon bukë me vete dhe durim prej derri, lidhja me Selanikun është më praktike…

Të jemi realist, Korçarët prej vitesh 90% të punëve, halleve, tregtisë, spitaleve, dokumenteve e madje edhe dasmave i zgjidhin në Greqi më kollaj sesa në Tiranë.

Në Tiranë shkon për ceremoni.

Në Selanik shkon për zgjidhje.

Paradoksi është se Izolimi i juglindjes nuk është thjesht problem rruge, është orientim i detyruar gjeografik, se kur kryeqyteti bëhet më i largët se shteti fqinj, diçka nuk shkon!!!

Prandaj lind pyetja: Mos vallë duhet vendosur kufiri në Qafë Thanë? Të vëmë një tabelë “Mirë se vini në Republikën e Korçës”, të vetëqeverisemi si dikur, dhe të kursejmë 7 orë udhëtim për në Tiranë??!?

Se me këtë ritëm zhvillimi të rilindjes “PËR-PARA”, po më duket sikur juglindja është projekt pilot për decentralizim të pavullnetshëm, unë këtë po shoh…

Popull i dashur që shkoni të votoni pa dhj*rë qentë, mos u shqetësoni, do rregullohet me projektin “Shqipëria 2030 në Evropë”… ndoshta deri atëherë, Korça do ketë hyrë në BE nga krahu tjetër…

Të Ngjashme