Kosova dhe Panamaja kanë arritur marrëveshje për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare me Panamanë, derisa kanë nisur diskutimet për liberalizimin edhe për pasaportat e rregullta.
Në emër të Kosovës, firmën në këtë marrëveshje e ka vënë Kreshnik Ahmeti si zëvendësministër i MPJD-së e nga Panamaja, kryediplomati në detyrë i këtij shteti, Carlos A. Hoyos.
MPJD-ja këtë e ka quajtur si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.
“Gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sigurinë, arsimin e lartë dhe turizmin”, thotë MPJD-ja.
Po ashtu, bëhet e ditur se palët janë dakorduar që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të mbahet në Prishtinë në fund të vitit 2026.
