Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kosova kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat në BE, Kos: Shqipëria e Mali i Zi më të avancuara

 
   

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar në Kopenhagë, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit.

Sipas tij, Kosova ka arritur mes tjerash rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ulje të papunësisë nga 23.8% në 10.9% në vetëm katër vite, përmirësim në rangime në indekse ndërkombëtare e dyfishim të investimeve të huaja direkte.

Ai gjatë takimit me temë “Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual”, theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë.

Bislimi nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat.

Krahas ministrave, pjesëmarrëse në këtë diskutim ishte edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas takimit, në një konferencë për media, tha se Shqipëria e Mali i Zi janë dy vendet kandidate që përparuan më herët drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, KOS ka shkruar në X, se bashkë me ministrat e Evropës, kanë diskutuar për ankorimi i respektit për sundimin e ligjit, sjelljen e përfitimeve të hershme për vendet kandidate, përgatitjen e unionit për anëtarët e rinj dhe komunikimin e përfitimeve të zgjerimit për qytetarët e BE-së.