
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se Kosova është bërë dukshëm më e sigurt pas sulmit terrorist në Banjskë, falë profesionalizmit të Policisë dhe rritjes së kapaciteteve të AKI-së.
Ai tha se institucionet kanë forcuar kontrollin në veri dhe kanë kufizuar veprimet ilegale, por Serbia vazhdon të përdorë struktura paralele për destabilizim.
Sipas Shalës, koordinimi mes Policisë, AKI-së dhe KFOR-it funksionon, por ky i fundit po tregon hezitim diplomatik, duke mos e artikuluar qartë përgjegjësinë e Serbisë për sulmin. “Kosova e ka përmirësuar sigurinë e saj, por nevojitet që edhe KFOR-i të përputhë qasjen diplomatike me realitetin në terren”, theksoi ai.
Postimi i plotë:
Kosova më e sigurt pas Banjskës, por KFOR-i ende heziton në diplomaci!
Sot, kur po afrohet dyvjetori i sulmit terrorist në Banjskë, mbetet e qartë se Kosova ka nxjerrë mësime të rëndësishme në fushën e sigurisë. Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm dhe aftësi të larta operacionale, duke forcuar praninë dhe kontrollin në veri. Po ashtu, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj të zbulimit dhe parandalimit, duke garantuar që informacioni i sigurisë të jetë i saktë dhe në kohë.
Në aspektin e kontrollit të zonave të ndjeshme, institucionet tona kanë arritur rezultate pozitive – prania e shtuar policore dhe operacionet e përbashkëta kanë kufizuar hapësirat për veprime ilegale. Megjithatë, mbetet sfidë faktori i jashtëm dhe tentativa e Serbisë për të përdorur struktura paralele në veri.
Koordinimi mes Policisë, AKI-së dhe KFOR-it është funksional, por kërkon një qasje më të baraspeshuar. Ndërkohë që policia dhe inteligjenca vendore veprojnë në terren me vendosmëri, KFOR-i shpesh ka treguar një hezitim diplomatik, duke mos e artikuluar qartë përgjegjësinë e Serbisë për sulmin e Banjsksë. Kjo krijon përshtypjen se institucionet e Kosovës bartin barrën kryesore të sigurisë, ndërsa komponenti ndërkombëtar nuk e shfrytëzon plotësisht autoritetin e tij për të vendosur presion politik dhe ushtarak ndaj burimit real të kërcënimit.
Në përfundim mund të themi që siguria në Kosovë është përmirësuar dukshëm pas Banjskës, falë institucioneve tona. Ajo që mungon, dhe që duhet të forcohet, është përputhshmëria diplomatike e KFOR-it me realitetin në terren – në mënyrë që përpjekjet e Kosovës të mbështeten nga një kornizë e qartë ndërkombëtare të cilën Serbia nuk mund ta anashkalojë.