Ditë më parë, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtme, Glauk Konjufca, mori pjesë në një takim virtual me mbi 40 ministra të Punëve të Jashtme, të ftuar nga Yvette Cooper të Mbretërisë së Bashkuar, për të diskutuar situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Në fjalën e tij, Konjufca ka deklaruar se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje, ndërsa koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk duhet të përdoren si instrument presioni.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Konjufca ka potencuar se Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që shkelin këto parime dhe qëndron në linjë me partnerët ndërkombëtarë në thirrjen për rihapjen e sigurt dhe të menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit.
“Në takim u theksua qartë se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni. Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme. Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë ne linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.
Ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë. Ato ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi. Për këtë arsye, veprimi ndërkombëtar është thelbësor për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.
Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare” , ka shkruar Konjufca në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa, ekspertët shprehen se pjesëmarrja e ministrit Konjufca në takim ka rëndësi kryesisht politike dhe diplomatike. Ata theksojnë se kjo rrit dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe tregon mbështetje për uljen e tensioneve, edhe pse ndikimi operacional mbetet i kufizuar për shkak të kapaciteteve dhe mungesës së njohjes së plotë ndërkombëtare.
Sipas ekspertëve, veprimi i Konjufcës ka qenë i mençur, duke synuar stabilitet në Lindjen e Mesme dhe hapjen e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit. Ata nënvizojnë rëndësinë e rreshtimit me shtetet mike, veçanërisht Britaninë e Madhe, si dhe kontributin e Kosovës për paqen dhe sigurinë globale.
Gjanaj: Pjesëmarrja e Kosovës ka rëndësi politike

Politologu Ramadan Gjanaj
Politologu Ramadan Gjanaj në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar pjesëmarrjën e Konjufcës në këtë takim, ku ka thënë se roli i Kosovës është kryesisht politik dhe diplomatik.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim ngre fillimisht çështjen e natyrës së vetë ftesës. Në mungesë të detajeve të qarta publike, është e vështirë të përcaktohet nëse Glauk Konjufca është ftuar në mënyrë individuale nga Yvette Cooper apo nëse Mbretëria e Bashkuar e ka zgjeruar ftesën për një grup shtetesh partnere që ndajnë qëndrime të ngjashme diplomatike. Megjithatë, këto formate zakonisht karakterizohen nga një qasje gjithëpërfshirëse, veçanërisht ndaj vendeve të rreshtuara me orientimin euro-atlantik.
Sa i përket përmbajtjes, kontributi i Kosovës duhet parë para së gjithash në planin politik dhe diplomatik. Si një shtet pa dalje në det dhe pa kapacitete detare, Kosova nuk mund të ketë rol operacional në një zonë strategjike si Ngushtica e Hormuzit, aq më tepër kur disa shtete evropiane kanë vendosur kushte të rrepta për përfshirjen e tyre eventuale ushtarake”, ka thënë ai.
Tutje, Gjanaj ka vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës ka rëndësi politike, pasi tregon mbështetje për uljen e tensioneve, forcon konsensusin diplomatik dhe e rreshton vendin me qëndrimet perëndimore.
“Megjithatë, pjesëmarrja e saj nuk është pa rëndësi. Ajo reflekton mbështetje politike për përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve, kontribuon në forcimin e konsensusit diplomatik dhe shpreh një rreshtim të qartë me qëndrimet perëndimore. Ashtu si edhe shtetet e tjera të vogla, Kosova kontribuon më shumë në legjitimitetin politik të nismave kolektive sesa në zbatimin e tyre operacional”, ka theksuar ai.
Krahas kësaj, politologu ka shtuar se pjesëmarrja e Kosovës rrit dukshmërinë ndërkombëtare, por ndikimi i saj mbetet i kufizuar për shkak të kapaciteteve dhe mungesës së njohjes së plotë ndërkombëtare.
“Në fund, kjo prani ka edhe një dimension strategjik për Prishtinën: ajo i mundëson Kosovës të rrisë dukshmërinë ndërkombëtare dhe të afirmohet si një aktor i angazhuar në diskutimet mbi sigurinë globale, edhe përtej rajonit të saj të afërt. Megjithatë, pesha e saj mbetet e kufizuar, si për shkak të kapaciteteve dhe rolit të saj modest në skenën ndërkombëtare, ashtu edhe për faktin se Kosova ende nuk gëzon njohje të plotë ndërkombëtare, përfshirë mungesën e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe mosnjohjen nga disa shtete evropiane”, ka përfunduar Gjanaj për “Bota sot”.
Muçiqi: Kosova, duhet të kontribuojë për paqen dhe sigurinë globale

Ismail Muçiqi
Ndërkaq, opinionisti Ismail Muçiqi, ka thënë se ministri Konjufca ka vepruar drejtë, duke e cilësuar pjesëmarrjen në takim me homologët ndërkombëtarë si të mençur, me synim stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe hapjen e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Mendoj se Ministri i Punëve të Jashtme z.Konjuca ka vepruar drejtë si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Së pari, mendoj se bashkangjitja e tij me përfaqësuesit e 40 homologëve të shteteve të ndryshme është mençuri në rend të parë, qëllimi i këtij misioni (takimi) qe të krijohet stabilitet dhe normalizim i situatës në Lindjen e Mesme. Si dhe hapja e qarkullimit në ngushticën e Hormuzit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Kosova duhet të rreshtohet me shtetet mike që e kanë mbështetur dhe njohur, duke veçuar Britaninë e Madhe si aleate të fortë, si dhe të kontribuojë për paqen sa herë rrezikohet siguria globale.
“Mendoj se Republika e Kosovës duhet të rreshtohet pas shteteve mike të cilat e kanë përkrahur dhe e kanë njohur Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, Britania e Madhe është një ndër shtetet më përkrahëse – aleate dhe mike e Republikës së Kosovës. Kudo qoftë që rrezikohet siguria globale, Republika e Kosovës është mirë që të kontribuojë për paqen në botë”, ka thënë ai.
Në fund, Muçiqi ka nënvizuar se Kosova, si shtet i njohur gjerësisht, duhet të kontribuojë për paqen dhe sigurinë globale.
“Të gjitha shtetet që e sponsorojnë paqen mund të kontribuojnë në sigurinë globale. Andaj edhe Republika e Kosovës si shtet i pranuar më shumë se 120 vende të botës është faktor që mund të kontribuojë në arenën ndërkombëtare”, ka përmbyllur Muçiqi për “Bota sot”.
