Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali ka qëndruar të mërkurën në Kosovë, ndërsa vizitën e saj e nisi me Prekazin, ku u prit nga familja Jashari.
Spiropali gjatë vizitës në Kosovë takoi krerët e shtetit dhe ata të partive opozitare.
Gjatë vizitës së saj në Prekaz, ministrja shqiptare u prit nga Rifat Jashari.
Pas vizitës atje, Spiropali në një postim në Facebook shkroi se në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë, por përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar.
‘Ka vende ku fjalët bëhen të vogla.
Bashkë me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, u përulëm në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.
Në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë.
Përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar.
Kulla e Jasharajve, ku u pritëm prej Bacë Rifat Jasharit, nuk është thjesht monument.
Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë.
Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes.
Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë.
Prekazi nuk na kërkon lot.
Na kërkon të jemi të denjë’, shkroi ajo.
Pas vizitës në Prekaz, ministrja e Jashtme e Shqipërisë u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjfuca në një konferencë për media theksoi se takimet me zyrtarët e Shqipërisë nuk janë takime sikur me homologët tjerë, por janë takime vëllazërore.
Sipas Konjufcës, kur flitet për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, nuk flitet vetëm thjeshtë për marrëdhënie ndërqeveritare, por për përgjegjësinë e dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb.
“E ardhmja jonë, si e kaluara jonë do të jenë të lidhur përgjithmonë. Sa më i fortë koordinimi ynë, aq më i sigurt rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
E në këtë konferencë për media Spiropali foli për shumë çështje.
Ajo theksoi se Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Ishte nder i veçantë dhe përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre ta bëj pikërisht në Prishtinë. Një vizitë që vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit Rama dhe presidentit Begaj dhe krijimit të qeverisë së re. Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie dhe politike dhe deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e rrugëtimit të përbashkët të skalitur në sakrificë dhe qëndresë”, u shpreh Spiropali.
Ministrja Spiropali ka folur edhe për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë proces gjyqësor, por kemi obligim moral të themi që drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut, jo drejtësi e pjesshme”, u shpreh Spiropali.
Ministrja theksoi se Shqipëria nuk është në një garë se kush mbron më shumë të drejtat, por në një test koordinimi dhe harmonizimi sa i takon qëndrimit ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe luftës së UÇK-së.
Spiropali: Besojmë në drejtësi, urojmë që gjykatësit në Hagë t’i përgjigjen thirrjes së drejtësisë dhe jo të prokurorëve
Sipas saj, qëndrimi kombëtar mbi legjitimitetin e asaj lufte dhe mbi të drejtën e popullit për të mbrojtur veten në përputhje me të drejtën ndërkombëtare mbetet i pandryshuar.
Ministrja e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është takuar edhe me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti.
E gjatë takimit me Kurtin, në përshëndetjen para Qeverisë, Spiropali duke shtrënguar duart me Kurtin komplimentoi kryeministrin.
“E ka nxjerr Albini diellin sot”, iu drejtua ajo.
“E ka nxjerr Albini diellin sot”, Spiropali ‘komplimenton’ Kurtin
Spiropali pasi ka përfunduar takimet me krerët shtetërorë ka takuar edhe kryetarët e partive politike opozitare.
Hamza pret Spiropalin: PDK kërkon agjendë të përbashkët për sfidat kombëtare
Ajo ka takuar kreun e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë gjatë qëndrimit në Kosovës ka takuar edhe komandantin e KFOR-it në Kosovë, Major General Ozkan Ulutash.
