Në një kohë kur sfidat e sigurisë, si në rajonin e Ballkanit, ashtu edhe në arenën globale, po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe të paparashikueshme, forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës merr një rëndësi thelbësore.
Rritja e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës shihet si një nevojë strategjike për të garantuar stabilitetin, ndërsa pyetja që lind është nëse, përveç forcimit të strukturave ekzistuese, Kosova duhet të synojë gjithashtu zhvillimin e një industrie ushtarake vendore, që mund të rrisë autonominë dhe vetëmbrojtjen e saj në afat të gjatë.
E më gjerësisht për këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Së pari, ai u shpreh se, duke parë zhvillimet gjeopolitike, rritja e investimeve në FSK është jo vetëm e domosdoshme, por e pashmangshme.
“Në kushtet aktuale të sigurisë, të karakterizuara nga dinamika të paqëndrueshme rajonale dhe zhvillime të shpejta në nivel global, rritja e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është jo vetëm e domosdoshme, por edhe strategjikisht e pashmangshme. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e aftësisë për reagim ndaj kërcënimeve hibride, krizave emergjente dhe sfidave të sigurisë kolektive”, deklaroi eksperti.

Drizan Shala.
Krahas kësaj, Shala vlerësoi zhvillimin e indsutrisë ushtarake në Kosovë, por që theksoi se ky është një process afatgjatë dhe që përfshinë disa faktorë të rëndësishëm.
“Në këtë kontekst, është shumë pozitive që Kosova tashmë ka përcaktuar një direktivë për zhvillimin e industrisë ushtarake vendore. Megjithatë, duhet theksuar se ndërtimi i një industrie të tillë është një proces kompleks dhe afatgjatë, i cili përfshin një gamë të gjerë akterësh dhe faktorësh relevant – përfshirë institucionet shtetërore, sektorin privat, partnerët ndërkombëtarë, aspektet ligjore dhe rregullative, si dhe kapacitetet teknologjike dhe njerëzore”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, eksperti potencoi rëndësin e zhvillimit të industrisë ushtarake, ku tha se ndikon në qëndrueshmërinë strategjike të vendit.
Madje, ai tregoi se si e ardhmja e fundit mund të jetë më e sigurt dhe më e qëndrueshme.
“Pavarësisht këtyre sfidave, orientimi drejt zhvillimit të industrisë ushtarake vendore paraqet një hap shumë të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshmërisë strategjike të vendit. Një qasje e tillë jo vetëm që do të reduktonte varësinë nga importet në sektorin e mbrojtjes, por gjithashtu do të nxiste zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Prandaj, një kombinim i balancuar ndërmjet forcimit të kapaciteteve të FSK-së dhe zhvillimit gradual të industrisë ushtarake vendore përbën një qasje të drejtë dhe të qëndrueshme për të ardhmen e sigurisë së Kosovës”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
