Në një kontekst global të karakterizuar nga pasiguri të shumta, konflikte hibride dhe rivalitete gjeopolitike në rritje, çështja e sigurisë kombëtare mbetet një ndër prioritetet kryesore të çdo shteti.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor, me historinë e tij të ndërlikuar dhe dinamikat ende të brishta politike, nuk bën përjashtim nga këto zhvillime.
Në këtë kuadër, Kosova përballet me nevojën e vazhdueshme për të forcuar mekanizmat e saj mbrojtës dhe për të garantuar stabilitet afatgjatë.
Zhvillimet e fundit në rajon e bëjnë këtë nevojë edhe më të theksuar. Serbia, për shembull, ka investuar ndjeshëm në modernizimin e kapaciteteve të saj ushtarake, përfshirë blerjen e sistemeve raketore nga Kina, duke ndryshuar balancat e perceptuara të fuqisë dhe duke rritur ndjeshmërinë e çështjeve të sigurisë në rajon.
Këto lëvizje jo vetëm që ndikojnë në dinamikat strategjike mes vendeve fqinje, por gjithashtu shtojnë presionin mbi institucionet e sigurisë së Kosovës për të avancuar kapacitetet e tyre mbrojtëse.
Në këtë sfond, rritja e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës shihet gjithnjë e më shumë si një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për të përmbushur detyrimet e brendshme të sigurisë, por edhe për të kontribuar në arkitekturën rajonale dhe ndërkombëtare të mbrojtjes. Megjithatë, kjo çështje nuk kufizohet vetëm në aspektin e modernizimit të kapaciteteve ushtarake. Ajo hap një debat më të gjerë mbi orientimin afatgjatë të politikave të sigurisë: a duhet që Kosova, përveç forcimit të strukturave ekzistuese, të investojë paralelisht edhe në zhvillimin e një industrie ushtarake vendore?
Softa: Ky është një moment tejet i ndjeshëm për sigurinë në Ball
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i cili tha se tani siguria në Ballkan është në një moment shumë të ndjeshëm, kjo duke parë zhvillimet e ndryshme gjeopolitike.

Fatjon Softa
“Ky është një moment tejet i ndjeshëm për sigurinë në Ballkan, dhe shqetësimi është plotësisht i bazuar në zhvillimet e fundit tekniko-ushtarake në rajon.
Ndryshimet gjeopolitike, armatosja e shpejtë, aleancat në Ballkan dhe rritja e investimeve të Serbisë në armatim, kanë krijuar një situatë dhe nevojë për investim dhe për Kosovën”.
Krahas kësaj, Softa përmendi disa faktorë që ndikojnë në nevojën e shtyuar të Kosovës për armatim më të madh.
Në këtë pikë, përmendi së pari, blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndikimet që mund të ketë një gjë e tillë dhe reagimet që ka nxitur ky zhvillim.
Janë disa faktorë që ndikojnë:
“1. Raketat balistike kineze të Serbisë
Është konfirmuar zyrtarisht se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike kineze CM-400AKG. Ky sistem ka një rreze veprimi deri në 400 kilometra dhe udhëton pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit, duke e bërë shumë të vështirë për t’u rrëzuar nga sistemet tradicionale mbrojtëse.
Implikimet: Beogradi është bërë vendi i parë në Evropë që zotëron këtë armë shkatërruese, të cilën e ka integruar në avionët e saj MiG-29.
Reagimi: Kjo blerje ka alarmuar vendet fqinje; Kroacia ka njoftuar zyrtarisht NATO-n, ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë intensifikuar bashkëpunimin në mbrojtje”.
Krahas kësaj, eksperti pfoli edhe për investimet dhe rëndësinë në investimet në FSK, ku u fokusua në buxhet dhe në armatim.
“2. Domosdoshmëria e investimeve në FSK
Në këtë kontekst, rritja e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk konsiderohet më vetëm proces transformimi, por mbrojtje ekzistenciale.
Buxheti: Për vitin 2025, buxheti ka arritur shifrën rekord prej 207.8 milionë euro.
Armatimi: Kosova po pajiset me sisteme moderne si raketat anti-tank Javelin (pritur në 2026) dhe Panzerfaust 3, dronë Bayraktar, dhe është në bisedime për helikopterë Black Haëk”.
Ndër të tjera, ai foli edhe për industrinë ushtarake vendore të Kosovës, ku tha se, shteti ynë ka marrë vendime konkrete për këtë çështje, duke përmend fabrikën e municionit.
Përveç kësaj, komentoi edhe strategjinë për siguri dhe armatim.
“Kosova tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin e industrisë së saj mbrojtëse për të reduktuar varësinë nga importet:
Fabrika e Municionit: Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Gjakovë (fshati Jahoc), në bashkëpunim me prodhuesin turk MKE.
Dronët “Made in Kosova”: Qeveria ka njoftuar planet për krijimin e një laboratori për dizajnimin dhe prodhimin e dronëve vendorë.
Strategjia: Është hartuar Strategjia për Zhvillimin e Industrisë së Mbrojtjes së Kosovës, e cila synon që në mandatin e ardhshëm të investohen mbi 1 miliard euro në ushtri.
Zhvillimi i industrisë vendore shihet si jetik jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për stabilitetin ekonomik dhe teknologjik të vendit përballë kërcënimeve asimetrike në rajon”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.
Elezi: Kosova, si një vend në mes të Ballkanit, përballet me sfida serioze nga Serbia

Bedri Elezi
Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi vlerësoi se, zhvillimet gjeopolitike kanë ndikuar në organizimin e kapaciteteve ushtarake.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, duke parë këto zhvillime, tha se Kosova duhet të mendojë seriozisht për riorganizimin e sistemit të sigurisë.
“Zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në nivel global kanë determinuar ndryshime të reja sa i përket organizimit të kapaciteteve ushtarake, si në rajon ashtu edhe në mbarë botën.
Duke parë këto zhvillime, sidomos luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, është bërë e qartë se shtetet, përfshirë edhe Kosovën, duhet të mendojnë seriozisht për riorganizimin e sistemit të sigurisë. Ky riorganizim duhet të fillojë nga aspekti i investimeve në fushën e produkteve ushtarake dhe të vazhdojë me ristrukturimin e industrisë së mbrojtjes”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Elezi përmendi edhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia, derisa nevojën për investime ushtarake e ndërlidhi edhe me kërkesën e SHBA drejtuar shteteve të ndryshme.
“Është e ditur se Kosova, si një vend në mes të Ballkanit, përballet me sfida serioze nga Serbia. Shteti serb në vazhdimësi është përpjekur të cenojë sigurinë e vendit tonë, duke organizuar edhe sulme terroriste, siç ishte rasti në Banjskë.
Gjithashtu, është parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundmi, kanë kërkuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera që, krahas zhvillimit ekonomik, të rrisin edhe investimet në fushën ushtarake. Kjo konsiderohet tejet e rëndësishme për forcimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe për rritjen e kapaciteteve prodhuese, përfshirë edhe prodhimin e municioneve”.
Në fund, eksperti i sigurisë, shtoi se, Kosova mund të fokusohet në prodhimin e municioneve, por edhe disa paisjeve tjera koherente.
Në këtë pikë, ai përmendi edhe investimet në FSK dhe reformat në siguri e ushtri.
“Kosova duhet patjetër t’i trajtojë me seriozitet këto zhvillime globale dhe të shqyrtojë edhe aspektet që lidhen me ndërmarrësinë dhe financat. Vendi ynë mund të jetë interesant, veçanërisht për prodhimin e municioneve, por edhe të disa pajisjeve të tjera që mund të kenë rëndësi për tregun ushtarak.
Po ashtu, investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), sidomos në drejtim të furnizimit me mjete bashkëkohore, siç ka nisur tashmë dhe siç parashihet në strategjinë 2018–2028, duhet të vazhdojnë paralelisht me riorganizimin ushtarak dhe reformat e reja në fushën e mbrojtjes”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.
