Lajme

Kosova pret vendimin e majit, ende pa sinjale nga Këshilli i Evropës

Ende nuk është bërë e ditur agjenda e takimit të majit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke lënë të paqartë nëse në të do të përfshihet edhe shqyrtimi i çështjes së anëtarësimit të Kosovës.

Takimi i madh politik i Komitetit të Ministrave, që pritet të mbahet nga mesi i muajit maj, nuk ka ende agjendë të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës. 

Në këtë mbledhje të 46 shteteve anëtare merret vendimi përfundimtar për anëtarësime të reja.

Zyrtarët ende nuk kanë dhënë detaje mbi temat që do të trajtohen, ndërsa mbetet për t’u parë nëse çështja e Kosovës do të jetë pjesë e diskutimeve..

Lama: Kosova humbi shnasin dy vite më parë për t’u anëtarësuar

Ish-diplomatja Alma Lama, ka deklaruar se nuk ka informacione që Qeveria e Kosovës ka shprehur interesim zyrtar për anëtarësim në Këshillin e Europës, apo nëse është dorëzuar ndonjë kërkesë për këtë proces.

Ajo tha se fillimisht duhet të sqarohet qëndrimi zyrtar i shtetit, duke shtuar se sipas saj Kosova ka humbur një shans për anëtarësim dy vite më parë, të cilin e cilëson si gabim politik.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë nga Qeveria e Kosovës që janë të interesuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Nuk dimë nëse kanë bërë kërkesë për një gjë të tillë, prandaj fillimisht duhet parë se ku qëndron interesimi i shtetit të Kosovës. 

Siç e dini, qeveria ia humbi shansin Kosovës dy vite më parë për t’u anëtarësuar, një veprim ky krejtësisht i gabuar dhe kundër interesit të shtetit të Kosovës, që nuk ka shpjegim racional.”, tha ajo për “Bota sot”.

Qaka: Rruga e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe iluzionet e shqiptarëve

Kurse, politologu Adnan Qaka për “Bota sot” ka deklaruar se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e gjatë dhe komplekse.

Ai ka shpjeguar se procesi përfshin disa hapa institucionalë, që nisin nga aplikimi dhe marrja e statusit kandidat, vazhdojnë me hapjen e negociatave dhe harmonizimin e ligjeve me BE-në, e deri te mbyllja e kapitujve negociues. Sipas tij, vetëm pas përfundimit të gjithë këtij procesi dhe ratifikimit të traktatit, një vend bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.

“Rruga e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e gjatë dhe e mundimshme. Procedurat për t’u bërë pjesë e BE-së janë të qarta dhe të ndërlikuara: pas aplikimit të një vendi për anëtarësim, Këshilli Evropian i kërkon Komisionit Evropian përpilimin e mendimit për statusin “vend kandidat”. Më pas, Komisioni Evropian miraton këtë mendim dhe ia përcjell Këshillit Evropian, i cili vendos për dhënien e statusit “vend kandidat” dhe për nisjen e negociatave.

Në vijim, Këshilli Evropian miraton kornizën e negociatave për anëtarësim. Hapi tjetër është harmonizimi i ligjeve kombëtare me ato të Bashkimit Evropian. Pas kësaj, hapet kapitulli i parë i negociatave për anëtarësim, për të vazhduar me procesin e gjatë deri në mbylljen e kapitullit të fundit. Më pas, Komisioni Evropian jep pëlqimin për mbylljen e negociatave dhe për anëtarësim, ndërsa Parlamenti Evropian jep miratimin përfundimtar. Në fund të këtij procesi, Bashkimi Evropian dhe vendi kandidat nënshkruajnë traktatin e anëtarësimit, i cili ratifikohet nga të dyja palët. Vetëm atëherë përfundon procedura dhe vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së”, thotë ai.

Mes tjerash, politologu thekson se, Kosova ka pak gjasa reale për anëtarësim në Bashkimin Evropian në të ardhmen e afërt, duke e cilësuar procesin si të gjatë dhe të vështirë.

Sipas tij, mungesa e njohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe faktorët politikë brenda vetë Bashkimit Evropian e bëjnë procesin edhe më të komplikuar, duke e zbehur mundësinë e përparimit të shpejtë të Kosovës drejt integrimit evropian.

“Sa i përket takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke qenë se ende nuk është bërë e ditur agjenda e takimit të muajit maj, është e arsyeshme të mendohet se Kosova nuk do të jetë pjesë e saj. Edhe nëse përfshihet, rruga e saj mbetet jashtëzakonisht e gjatë dhe e vështirë.

Realiteti është i ashpër: Kosova nuk ka gjasa reale të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një të ardhme të parashikueshme. Jo vetëm për shkak të procedurave të ndërlikuara, por edhe për arsye politike thelbësore. Pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën, gjë që përbën një pengesë serioze dhe pothuajse të pakapërcyeshme. Për më tepër, vetë Bashkimi Evropian po përballet me pasiguri të mëdha për të ardhmen e tij, duke e bërë zgjerimin edhe më pak të mundshëm.

Edhe nëse, me iniciativë të shteteve të caktuara, procedurat mund të përshpejtohen, kjo nuk ndryshon thelbin e problemit: mungesën e vullnetit të plotë politik për ta përfshirë Kosovën në këtë organizatë. Për më tepër, ideja se shqiptarët në Ballkan janë në agjendën prioritare të BE-së është më shumë një dëshirë sesa një realitet konkret.

Ndërkohë, përpjekjet tona të brendshme, ndonëse ekzistojnë, kanë prodhuar rezultate të kufizuara dhe larg pritshmërive. Në vend që të përballemi me këtë realitet, shpesh ushqehemi me pritje të paarsyeshme dhe premtime boshe.

Në këtë kontekst, rruga drejt Bashkimit Evropian, për Kosovën, nuk është thjesht e gjatë — ajo rrezikon të mbetet një iluzion i zgjatur, një narrativë që përsëritet pa u mbështetur në zhvillime konkrete” – shprehet ai.

Në fund, Qaka ka deklaruar se kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian përfshijnë aspektin politik, ekonomik dhe juridik, të cilat Kosova ende i ka sfida për t’i përmbushur plotësisht.

Ai shtoi se përveç kritereve formale, pengesë kryesore mbetet mungesa e vullnetit politik për zgjerim brenda BE-së, duke e cilësuar procesin e integrimit si të pasigurt dhe të vështirë për Kosovën në afat të afërt.

“Sa i përket kritereve të anëtarësimit, të njohura si Kriteret e Kopenhagës të vitit 1993, ato përbëhen nga tre shtylla kryesore: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe kriteri juridik.

Kriteri politik kërkon institucione stabile që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Në rastin e Kosovës, kjo nënkupton jo vetëm ndërtimin formal të institucioneve, por funksionalitet real, pavarësi të sistemit gjyqësor, luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe garantim efektiv të të drejtave për të gjitha komunitetet.

Kriteri ekonomik kërkon një ekonomi tregu funksionale dhe aftësi për të përballuar konkurrencën brenda Bashkimit Europian. Kosova përballet me sfida serioze në këtë drejtim: varësi të lartë nga importet, sektor privat të brishtë dhe mungesë të prodhimit konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Kriteri juridik kërkon harmonizimin e plotë të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian dhe, më e rëndësishmja, zbatimin efektiv të tij. Ky është një nga dimensionet më të vështira për Kosovën, pasi kërkon kapacitete institucionale të konsoliduara dhe administratë profesionale.

Megjithatë, përtej këtyre kritereve formale, pengesa kryesore mbetet mungesa e vullnetit politik real për zgjerim brenda vetë Bashkimit Europian. Ky union përballet me kriza të brendshme të vazhdueshme – politike, ekonomike dhe identitare – që e bëjnë të pasigurt jo vetëm zgjerimin, por edhe kohezionin e tij të brendshëm.

Në këtë kontekst, duhet thënë qartë se procesi i integrimit europian për Kosovën ka marrë tiparet e një iluzioni politik. Ai shitet si një perspektivë reale dhe e arritshme, ndërkohë që në praktikë funksionon si një mekanizëm për të ushtruar presion dhe për të nxitur lëshime të njëanshme. Shqiptarëve, dhe në veçanti Kosovës, u është krijuar bindja se çdo kompromis i ri i afron më shumë me anëtarësimin, ndërkohë që realiteti tregon të kundërtën.

Madje, ekziston një paradoks i thellë strategjik: në momentin kur vendet si Kosova potencialisht do të ishin më afër anëtarësimit, vetë Bashkimi Europian mund të jetë në një fazë të transformimit të thellë ose edhe të shpërbërjes si projekt politik në formën aktuale. Dinamikat e brendshme të unionit, rritja e skepticizmit ndaj zgjerimit dhe përplasjet mes shteteve anëtare e bëjnë këtë skenar jo të pamundur.

Për rrjedhojë, investimi i pakushtëzuar në këtë proces, duke sakrifikuar interesa të brendshme dhe duke bërë lëshime të njëpasnjëshme, rrezikon të jetë një humbje strategjike për Kosovën. Një qasje më racionale do të ishte fokusimi në forcimin e shtetit, në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.

Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian nuk është vetëm e gjatë dhe e vështirë, por edhe thellësisht e pasigurt. Pa ndryshime rrënjësore në arkitekturën politike të vetë Bashkimit Europian dhe në qasjen e tij ndaj zgjerimit, anëtarësimi i Kosovës mbetet një perspektivë e largët. Për më tepër, ekziston rreziku real që ky proces të mbetet një premtim i papërmbushur, duke e shndërruar atë në një nga iluzionet më të mëdha politike për shqiptarët në periudhën moderne.” – përfundon përgjigjen e tij.

Të Ngjashme