Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi, së bashku me anëtarët z. Visar Krasniqi dhe z. Milot Krasniqi, si dhe udhëheqësin e Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Ilir Morina, pritën në takim përfaqësuesit e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, znj. Greta Avdyli, z. Blerim Halili dhe znj. Valentina Shahini-Grajçevci.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mundësive të bashkëpunimit për sigurimin dhe shkëmbimin e informacioneve që lidhen me dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
Gjatë takimit, Kryesuesi Gashi theksoi rëndësinë që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të vihet në vend dhe kujtesa historike të mbetet e gjallë, duke fuqizuar bashkëpunimin ndërinstitucional për mbledhjen, administrimin dhe shkëmbimin e provave dhe dokumentacionit relevant, me qëllim të avancimit të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit shprehën gatishmërinë e tyre për koordinimin ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për qasje të ligjshme dhe të kontrolluar në të dhënat dhe materialet relevante që disponojnë institucionet e sistemit prokurorial.
Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e sistemit prokurorial, që ishin të pranishëm në ketë takim, vlerësuan se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe strukturat përkatëse brenda Prokurorisë Speciale kanë obligim ligjor dhe vullnet institucional për garantimin e qasjes në burime relevante, duke kontribuar edhe në realizimin e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës.
