
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar sot dy subjekte për zgjedhjet lokale të tetorit.
“Lidhja e Prishtinës” nuk është certifikuar pasi u tha se është brend dhe pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq iniciativa qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.
E lidhur me këtë ka reaguar sot Eugen Cakolli nga KDI.
Lexoni të plotë postimin e tij:
KQZ-ja paska vazhduar sot me praktikën (e kahershme) aq sa kundërligjore, aq edhe të pakuptimtë e të çuditshme të cenimit të së drejtës kushtetuese të subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje – vetëm për shkak të emrit të tyre.
Me insistimin e LDK-së – qartazi për motive politike – një iniciativë u refuzua sepse emri i saj i ngjante një slogani të vitit 2017. Iniciativa tjetër u refuzua vetëm pse kishte një gabim drejtshkrimor në emër.
Kjo është thjesht burokraci e shndërruar në censurë.
E drejta për të garuar është themel i demokracisë. Ajo matet me respektimin e kritereve ligjore, që si të tilla vetë Zyra i ka konfirmuar.
Asnjë parti nuk ka monopolin mbi brendet, e aq më pak mbi kujtimet e fushatave të kaluara. Në anën tjetër, është qesharake që refuzimi të bëhet për shkak të gabimeve drejtshkrimore, thua ti se anëtarët e KQZ-së janë lektorë.
Rregullat duhet të zbatohen me barazi, jo sipas tekeve apo interesave të përfaqësuesve partiakë në KQZ.