
Në mbledhjen e KQZ-së, sot, u prezantua raport nga procesi përgatitor i procesit të Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të mbahen një ditë më vonë.
Sipas njoftimit në këtë mbledhje, gjatë mëngjesit të ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor për Zgjedhjet Lokale.
Po ashtu, në këtë mbledhje u njoftua se procesi i votimit me postë për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës do të përfundojë më 11 tetor, ndërkaq tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare që janë hapur në 22 shtete të ndryshme, do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, pas ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta për 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëzë për votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar paraprakisht.
Numri i votuesve të regjistruar sipas kategorive, për votim përmes ekipeve mobile, është: 3,467 votues, prej të cilëve: 1,508 votues të ngujuar në shtëpi; 1,956 votues në institucione (klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit, qendra korrektuese, etj.); dhe 3 votues në arrest shtëpiak.