
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas paralajmërimit të fundit nga KESCO, që konsumi i brendshëm i energjisë elektrike në Kosovë do të mbulohet tërësisht nga importi.
Në një deklaratë të publikuar sot, Krasniqi e quajti situatën një dëshmi alarmante të dështimit të Qeverisë Kurti për të siguruar stabilitet energjetik, duke e konsideruar këtë si një krizë që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit.
“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë për prodhim vendor, por qytetarët po përballen me çmime marramendëse dhe kërcënim për ndërprerje të energjisë – pa asnjë transparencë”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se mungesa e prodhimit nga KEK-u është një fenomen që nuk ka ndodhur kurrë që nga përfundimi i luftës, dhe kërkoi me urgjencë një sqarim të plotë nga Qeveria në largim.
Ndër pyetjet që Krasniqi shtroi publikisht janë pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji, a është kjo pasojë e degradimit të qëllimshëm të ndërmarrjes, a ka përfshirje të mafies energjetike apo sekserëve të tregtisë me energji dhe kush do të mbahet përgjegjës për këtë krizë.
Krasniqi përmbylli reagimin nw Facebook, duke shkruar se energjia është çështje e sigurisë kombëtare dhe kjo krizë kërkon veprime urgjente e jo arsyetime boshe.