Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi: Ka dyshime të forta për manipulim, Mitrovica duhet të shkojë në rivotim

 
   

Analisti Albert Krasniqi thekson se ka dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor në raundin e dytë në Mitrovicë.

Krasniqi në Facebook ka shkruar se “faktet janë kokëforta” dhe ka radhitur disa prej tyre, duke thënë se ato ndodhën vetëm në Mitrovicë.

Sipas tij, Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen.

Sipas Krasniqit vetëm në këtë komunë nuk janë përputhur rezultatet e EXIT POLL-it me ato zyrtare, pjesëmarrja ishte më e madhe në raundin e dytë se në të parin dhe se kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, ishte i vetmi që mori më pak vota në raundin e dytë se në të parin.

“Rezultatet e raundit të dytë në Mitrovicë ngrejnë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor. Faktet janë kokëforta: Exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare – vetëm në Mitrovicë; Pjesëmarrja më e madhe se në raundin e parë – ndër komunat e mëdha, vetëm në Mitrovicë; Kandidati i vetëm që ka marrë më pak vota se në raundin e parë – sërish vetëm në Mitrovicë; Fletëvotime të gabuara që nuk i përkasin vendvotimit – në Mitrovicë”, shkruan Krasniqi.

Sipas Krasniqit përtej fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm: KQZ u ngut ta shpallë “gabim teknik” pa hetim paraprak; Kompania e shtypjes mori përgjegjësinë brenda pak orësh – pa asnjë verifikim serioz; Prokuroria u mjaftua me deklarata të kompanisë; Tenderi u dha si kontratë njëburimor, ndonëse kishte kohë të mjaftueshme për konkurrencë; Kompania ka lidhje të njohura me eksponentë të partisë në pushtet; dhe shteti dhe burimet publike janë keqpërdorur për qëllime elektorale – kush e përdor aparatin shtetëror për pushtet, mund ta përdorë edhe për vota.

Sipas tij, Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen.

“Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shkruan ai.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicë të Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.