
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti duhet të tërhiqet nga propozimi që nuk e ka shumicën. Krasniqi u shpreh se ai i ka 40 opsione të tjera dhe se kjo situatë nuk duhet të vazhdojë.
Kështu u shpreh ai pas dështimit të 29-të për konstituim të plotë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi tha se vendi po kalon në krizë politike, për çka u shpreh se është e nevojshme një zgjidhje politike. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë situatë.
“Fiks para katër muajsh, qytetarët e Republikës së Kosovës dolën në zgjedhje të lira, demokratike, për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë drejtimi e duan vendin dhe kush duhet të qeverisë. Verdikti ishte i qartë: qytetarët i thanë jo sundimit një partiak të katër viteve të kaluara dhe i dhanë shumicën parlamentare partive të cilat ishin në opozitë në mandatin e kaluar. Katër muaj më vonë, sot, është pikërisht partia e mentalitetit monist, Lëvizja Vetëvendosje, ajo e cila nuk po lejon që të konstituohet e të materializohet ky vullnet i qytetarëve të vendit tonë, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe themelimin e qeverisë së re”, tha Krasniqi.
Ai tha se është kaluar çdo kufi i racionalitetit, ku shtoi se po tentohet që të mbahet në bllokadë dhe peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Nuk ka asnjë arsyetim më tej që për shkak të kryeneçësisë politike të zotëri Kurtit dhe Vetëvendosjes, me inisistimin e tyre për ta bërë kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, pa i pasur votat për herë të parë në historinë e re të Kosovës pa shumicë parlamentare, kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më tej. Përsërisim edhe një herë qëndrimin tonë, ka rreth 40 opsione z.Kurti. Krejt çka duhet është që vërtet të tërhiqet nga propozimi që nuk e ka shumicën”, tha Krasniqi.