
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kultura politike e kësaj partie është dialogu, andaj sipas tij, është i gatshëm për takime dhe komunikime për të gjetur zgjidhje.
Megjithatë, ai tha se qëndrimi zyrtar i partisë lidhur me ftesën e Lumir Abdixhikut të LDK-së për qeveri tranzicionale, do të bëhet i ditur pas mbledhjes së kryesisë sot pasdite.
Krasniqi: Propozimin e LDK-së do ta diskutoj me kolegët në mbledhjen e kryesisë
Video
“Do ta diskutoj me kolegët këtë propozim që tashmë e keni parë edhe ju në media, e kam lexuar edhe unë e që e ka dhënë Abdixhiku”, tha ai.
Krasniqi përmendi takimin që kishte zhvilluar ditë më parë me kreun e LVV-së, Albin Kurti, derisa theksoi se kolegët e partive që deri më tash ishin në opozitë “i takon edhe më me dëshirë”.
Krasniqi:Kam takuar edhe Albin Kurtin, kolegët e ish-opozitës i takoj edhe më lehtë
Video
“Çka i duhet Kosovës është konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe i duhet një qeveri, ju preferencën time e dini prej fillimit dhe angazhimin e PDK e dini prej fillimit, por normalisht që ne jemi të hapur, jemi të vetmit që kemi diskutuar me krejt, unë kam diskutuar me të gjithë e kam takuar bash secilin lider, e kam takuar edhe Albin Kurti sepse ne si PDK kulturën politike e kemi dialogun. Nuk i kam ikur asnjë takimi, e kam takuar edhe Albin Kurtin, normalisht që kolegët e ish-opozitës i takoj edhe më lehtë edhe më me dëshirë“, tha ai.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk mund ta votojnë Albulena Haxhiun për kryekuvendare, pasi siç u shpreh ai “nuk është person që i bënë nder Kuvendit të Kosovës”.
Kransiqi: Nuk mund të votojmë një person që nuk i bënë nder këtij vendi
“Të njëjtën pyetje ma ka bërë edhe Albin Kurti, pse nuk po e zhbllokoni, nuk mundemi të e dhunojmë Kuvendin duke ia vendosur me votat tona në krye një person i cili nuk i bënë nder këtij vendi, nuk i bënë nder këtij Kuvendi, nuk mund ta bëjë kryetare të Kuvendit dikë që e ka polarizuar këtë Kuvend, dikë që ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e këtij Kuvendi”, tha ai.
Pas dështimit të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje.
Krasniqi: LVV e ka marrë peng shtetin
“Po vazhdon abuzimi i të drejtës kushtetuese e cila i takon partisë së parë për ta propozuar një kandidat dhe në mungesë të shumicës parlamentare për ta zgjedhur atë kandidat apo kandidate LVV e ka marr shtetin peng dhe po mban konstituimin e institucioneve peng. Ky është një degradim për të cilin asnjë se kemi paramenduar se mund të ndodh ndonjëherë ky është dhunim i verdiktit të qytetarëve sepse pasnesër bëhen 3 muaj që i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato zgjedhje kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit e cila e ka për obligim që ta konstituojë Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Krasniqi tha pas seancës se Kosova duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara sa më parë, duke shtuar se VV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Krasniqi: LVV të ndërroj kandidatin për kryeparlamentar
“Tendenca imponuese e LVV mospajtimi i tyre me faktin se nuk kanë shumicë dhe nuk do të kenë shumicë parlamentare po e mban pengë këtë proces dhe e ka lënë Kosovën pa institucione legjitime. Si PDK e kemi qëndrimin e njëjtë ne besojmë që vendi duhet me i pas institucionet e konsolidura. Zgjidhja është evidente duhet me u ndërrua kandidatja e cila ka dështuar dhe do të dështoj sa herë që të vije në Kuvend”, tha ai.
Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.
Dehari i LVV-së kërkoi nga partitë politike të propozojnë emrat për formimin e komisionit verifikues por partitë e tjera nuk iu përgjigjen pozitivisht kësaj.
Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë.
Seanca u ndërpre në mungesë të kourumit për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në formë të fshehtë.
Për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit kanë votuar vetëm 56 deputetë, një votë kundër, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim fare.
Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 9 maj.