Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi thotë se duhet ta votojnë qeverinë Konjufca 1, ja çfarë duhet t’i ofrohet Haradinajt

 
   

Besnik Krasniqi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur se sipas tij, kjo parti do të duhej ta shqyrtonte mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjes, nëse kjo e fundit i bën një ofertë serioze AAK’së.

Krasniqi nga AAK, i ftuar në Frontal, ka thënë se sipas tij, kandidimi i Konjufcës e ka ‘’ndryshuar lojën’’, përderisa ata janë ende kundër një qeverie tjetër Kurti.

‘’Faktikisht ky ishte një mendim imi personal. Dje AAK e ka mbajt një mbledhje të kryesisë, por unë për shkak që gjendesha jashtë vendit në atë kohë, nuk mujta me marr pjesë në mbledhje. I dëgjova me kujdes edhe qëndrimet e kryetarit Haradinaj edhe qëndrimet e kryesisë tonë, plotësisht i mbështesë të gjitha ato që u thanë. Por gjithashtu vlen të ceket se nëse Glauk Konjufca dhe VV do ta kishin pasur seriozisht krijimin e një qeverie, besoj që do të ishte e udhës dhe e drejtë që të bëhet ofertë serioze, në këtë rast AAK’së, që ne do të mund ta shqyrtonim  dhe ta jepnim vendimin tonë përfundimtar. Ju e dini mirë që të gjithë ne, kemi qenë dhe jemi kategorik që të mos ketë qeveri Kurti 3, por kandidimi i Konjufcës tashmë veçse e ka ndryshuar lojën për mendimin tim, dhe hap shtigje të reja’’, ka thënë ai.

Krasniqi, është shprehur se si temë diskutimi për bashkëpunim duhet të jetë edhe zgjidhja e çështjes së presidentit, për post të cilin, ai ka thënë se Ramush Haradinaj është kandidati i vetëm sipas kësaj partie, që i përmbush të gjitha kriteret.

‘’Por ishte një reflektim i cili do të duhej të merrej seriozisht edhe nga Konjufca edhe nga VV’ja. Ju e keni pa qe në postimin tim kam kërkuar që zë bëhet edhe zgjidhja e çështjes së presidentit, në mënyrë që nëse ka qeveri kjo qeveri të mos jetë afatshkurtër por afatgjatë. Ju e dini që Haradinaj për ne është i vetmi kandidat i cili do t’i përmbushte të gjitha kriteret për të qenë president i Kosovës. Pse jo nëse do të kishim një ofertë të tillë nga VV’ja dhe Konjufca, unë besoj që do të ishte mirë që ta shqyrtonim si Aleancë’’, ka thënë ai.

I pyetur se a i jep AAK votat për qeverinë Konjufca 1, në mënyrë që Haradinaj të zgjidhet president në pranverën e ardhshëm ai ka thënë se ‘’patjetër që po’’.

‘’Patjetër që po. Pse jo nuk shoh diçka të keqe këtu, përkundrazi do të krijonte një stabilitet të madh institucional’’, ka shtuar ai.