Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë

 
   

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët prej afër pesë vitesh po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Krasniqi tha se takimi ishte i ngrohtë dhe emocionues, duke theksuar se “në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet.”

Ai theksoi se Thaçi dhe Veseli vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbajnë moral të lartë, përkundër sfidave të një procesi që ai e cilëson si të tejzgjatur dhe të padrejtë.

“Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj. Ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush,” shkroi Krasniqi.

Sipas Krasniqit, dy liderët historikë janë të lidhur përditë me zhvillimet në Kosovë, gëzohen për lajmet e mira dhe ndajnë dhimbjen me popullin në momente të vështira.

“Por, mbi të gjitha, besojnë fuqimisht në një të ardhme më të ndritur për vendin tonë, një të ardhme që ndërtohet me punë, me vizion dhe me vullnet të pathyeshëm,” shtoi ai.

Krasniqi përmbylli postimin me fjalët e Hashim Thaçit:“Dielli do të lind përsëri!”.