Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Turqi, në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë.
Siç bëhet e ditur, gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni kosovar ka zhvilluar takime dhe vizita zyrtare në institucione të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit.
“Krerët e gjyqësorit, Rexhepi dhe Zogaj, janë pritur në takim nga kryetari i Gjykatës së Kasacionit (Gjykatë Supreme) të Turqisë, Ömer Kerkez, me të cilin kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy sistemeve të drejtësisë, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Takimet janë vlerësuar si mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për mbështetjen e projekteve në fushën e sundimit të ligjit.
“Në kuadër të kësaj vizite, në Turqi po qëndrojnë edhe gjyqtarët e rinj të gjeneratës së 13-të, nga Kosova, të cilët po ndjekin Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, i organizuar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga institucionet e drejtësisë.