Elliot Engel është hero në Kosovë. Qeveria atje e ka nderuar me shumë dekorata, përfshirë vendosjen e portretit të tij në një pullë postare dhe emërtimin e një bulevardi të madh me emrin e tij. Nëse njujorkezët kanë arsye ta shohin Engel-in po aq pozitivisht, kjo mbetet një çështje tjetër.
Kështu e kishte përfunduar tekstin e tij gazetari i National Review, David Reaboi, të shkruar më 22 qershor 2020, një ditë para zgjedhjeve për kongresin amerikan.
Titulli i këtij shkrimi ishte “Eliot Engel vë Kosovën në plan të parë — jo Amerikën”
Në fakt, ky ishte më shumë si një citat i rivalit direkt të Engelit për garën elektorale, progresistit Jamaal Bowman, i cili atëherë ishte mbështetur prej demokratëve të njohur, nga Elizabeth Warren deri te Alexandria Ocasio-Cortéz.
Bowman kishte akuzuar Engel-in, se po merret me çështje të politikës së jashtme sipas interesave personale, në dëm të distriktit të tij e shkak për këtë, sipas tij, ishte Kosova dhe angazhimi i vazhdueshëm i Engel për të.
“Kjo kritikë nuk qëndron plotësisht. Rreth 60,000 shqiptarë jetojnë në shtetin e Nju Jorkut, shumë prej tyre në distriktin e Engel-it. Ajo që ka bërë Engel është që në mënyrë sistematike të vendosë interesat e … Kosovës, e cila ka shumicë shqiptare, përpara interesave amerikane. Për këtë ai është shpërblyer ndjeshëm”, thuhet në tekst.
Shkrimi përmend lidhjet e Engel me shqiptarët dhe citon kritikat që këtij të fundit ia kanë bërë serbet dhe mediet në Beograd se ai ishte lobisti kryesor i Kosovës në Uashington.
“Gjatë presidencës së Bill Clinton-it, Engel ishte ndër përkrahësit e hershëm të ndërhyrjes amerikane në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe më vonë loboi fuqishëm që SHBA ta njohë pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, Engel ka lobuar që SHBA të ndihmojë Kosovën për të ndërtuar një ushtri”, thotë më tej artikulli.
Sipas këtij shkrimi, del që Engel ua kishte bërë nervat edhe politikanëve të ndryshëm në Amerikë, pikërisht duke lobuar për Kosovën dhe shqiptarët.
“Së fundmi, sekretari i shtetit Mike Pompeo e ka akuzuar Engel-in për ‘presion, frikësim dhe bullizëm’ të papërshtatshëm ndaj diplomatëve amerikanë lidhur me çështjen e Kosovës”, ka shkruar National Review.
Engel, sipas raportimit, ka kritikuar me të vërtetë administratën e Shteteve të Bashkuara se nuk po qëndron fuqishëm pas Kosovës, në sfidat e vazhdueshme që kjo ka me Serbinë, ndaj së cilës ai ka kërkuar që Washingtoni të vendos sanksione për shkak të lidhjeve të ngushta të Beogradit me Rusinë.
