Lajme

Kryediplomatja e BE-së thotë se Libani duhet të përfshihet në armëpushimin SHBA-Iran

Shefja e politikës së jashte të BE-së, Kaja Kallas ka thënë se armëpushimi duhet të përfshijë Libanin, duke shtuar se grupi libanez Hezbollah duhet të çarmatoset.

“Veprimet izraelite po e vënë armëpushimin SHBA-Iran nën presion të rëndë. Armëpushimi i Iranit duhet të shtrihet deri në Liban”, shkroi Kallas në X.

“Sulmet izraelite vranë qindra njerëz mbrëmë, duke e bërë të vështirë të argumentohet se veprime të tilla të rënda bien brenda vetëmbrojtjes”, tha ajo.

Sulmet izraelite vranë qindra persona të mërkurën, pas hyrjes në fuqi të një marrëveshjeje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.

Irani dhe ndërmjetësi i armëpushimit, Pakistani kanë pohuar se ndalimi i sulmeve ndaj Libanit ishte poashtu pjesë e marrëveshjes, por Izraeli ka mohuar një gjë të tillë duke vazhduar me sulme.

 

Të Ngjashme