
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan kampin veror edukativ të organizuar nga “Balkan Sunflowers Kosova” (BSK), ku po marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Ky kamp veror pesëditor, i cili po realizohet në Parkun e Gërmisë, synon kombinimin e aktiviteteve edukative, rekreative dhe sociale në një mjedis të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Aty marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga qendrat e organizatës joqeveritare BSK në Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Plemetin. Aktivitetet zgjasin tri orë në ditë.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci takuan dhe bashkëbiseduan me fëmijët pjesëmarrës në kamp dhe u njoftuan për aktivitetet dhe trajnimet që zhvillojnë. Me rastin e vizitës, kryeministri dhe ministrja morën mirënjohje nga organizatorët, përkatësisht nga Drejtoresha Ekzekutive e BSK për mbështetjen e dhënë në realizimin e kampit veror dhe për vizitën sot.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me kërkesë të organizatës BSK e ka mbështetur financimin e plotë të kampit sivjet.