
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçari.
Në këtë përvjetor të rëndë, delegacioni i Kosovës bëri nderime pranë varrezave të viktimave dhe vendosi lule të freskëta, në kujtim të 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë që u vranë mizorisht më 1995 nga forcat serbe, në atë që njihet si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, një instalacion i kuruar nga Aziz Osmanoviç, që ilustron përmes objekteve personale, dhimbjen dhe historitë e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit.
Në deklaratën e tij, Kurti theksoi se Srebrenica ishte jo vetëm dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit, por edhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë zë i së vërtetës dhe kujtesës historike, në solidaritet të plotë me viktimat dhe familjet e tyre.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka shpallur 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, duke i dhënë kësaj date një rëndësi shtetërore dhe institucionale.