Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministri Kurti ngushëllon për ndarjen nga jeta të analistit amerikan Janusz Bugajski

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e studiuesit dhe analistit të njohur amerikan, Janusz Bugajski. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti e ka përshkruar Bugajskin si “kërkues shkencor, autor i shumë librave dhe njohës të politikës së jashtme”, duke theksuar se intelekti dhe integriteti i tij profesional e bënë një figurë të respektuar ndërkombëtarisht.

“E kam takuar disa herë që nga viti 1997. Te kombinimi i kompetencës me drejtësinë dhe njerëzinë, analisti Bugajski nuk e ka një të dytë,” ka shkruar Kurti. Ai shtoi se Bugajski do t’i mungojë botës akademike, medias dhe rrethit të intelektualëve.

Kryeministri i Kosovës u shprehu ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Postimi i plotë:

Kërkues shkencor, autor i shumë librave dhe njohës i politikës së jashtme. Intelekti i amerikanit Janusz Bugajski, krahas integritetit profesional, e bën atë figurë të respektuar në mesin e studiuesve dhe analistëve ndërkombëtarë. Si hulumtues i mirë i çështjeve të Ballkanit, kontribuoi me shkrime e analiza në rritjen e vetëdijes rreth situatës në rajon përgjatë disa dekadave. Përtej botës akademike, Bugajski shërbeu edhe në administrata amerikane, gjersa ishte aktiv edhe në televizion në emisione të ndryshme. E kam takuar disa herë përgjatë dy dekadave duke filluar prej vitit 1997: te kombinimi i kompetencës me drejtësinë dhe njerëzinë, analisti Bugajski nuk e ka një të dytë.

Janusz Bugajski është figurë e cila do t’i mungojë librit, medias, rrethit të intelektualëve dhe të gjithë neve. Ngushëllime të përzemërta për familjen e më të dashurit e të ndjerit, si dhe për të gjithë ata që e njohën gjatë jetës së tij.