Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Hungarisë, László István Dux, nga i cili pranoi urime për zgjedhjen e presidentes.
Duke shprehur mirënjohje për angazhimin e Hungarisë në Kosovë, kryeministri Kurti theksoi se përveçse për proceset integruese, Hungaria ka rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale, veçmas duke qenë një nga kontribuueset më të mëdha me trupa në kuadër të KFOR-it.
Krahas aktualitetit, në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, nëpërmjet organizimeve të përbashkëta, që mund të forcojnë lidhjet biznesore dhe të krijojnë mundësi për investime.
Numri i bursave Stipendium Hungaricum për studentë nga Kosova, në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë, është rritur në 75 sish në vit, ndërsa qindra studentë kanë studiuar ose janë duke studiuar në universitetet hungareze.
Aktualisht, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, është në vizitë zyrtare në Budapest, gjatë së cilës do të takohet me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Hungarisë.

