Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministri spanjoll: Paqja në Gaza nuk do të thotë pandëshkueshmëri për gjenocidin

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha të martën se paqja në Gaza nuk duhet të vijë në kurriz të drejtësisë, duke thënë se ata që janë përgjegjës për mizoritë duhet të mbahen përgjegjës.

“Paqja nuk mund të nënkuptojë harresë; nuk mund të nënkuptojë pandëshkueshmëri”, tha Sanchez në një intervistë me radion Cadena SER. “Ata që ishin aktorë kryesorë në gjenocidin e kryer në Gaza duhet t’i përgjigjen drejtësisë.”

Ai kujtoi kohën e tij me Kombet e Bashkuara gjatë Luftës së Kosovës, e cila u pasua nga dënime për krime lufte.

“Kemi shumë punë përpara”, tha ai. “Ka shumë pyetje të hapura”.

Sanchez tha se Spanja dhe Evropa do të luajnë role kyçe në përpjekjet për paqe, jo vetëm në rindërtim, por edhe në formësimin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe paqe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave spanjolle në Gaza si paqeruajtës, shkruan Anadolu.

Udhëheqësi spanjoll konfirmoi se Madridi do ta mbajë embargon e armëve ndaj Izraelit “derisa të konsolidohet armëpushimi dhe procesi të shkojë përfundimisht drejt paqes”.

“Është e rëndësishme që dhuna ka mbaruar”, tha ai. “Dhe që tani kemi një dritare mundësie për dialog të sinqertë midis Izraelit dhe Palestinës dhe njohjen e dy shteteve.”

Të hënën, Sanchez udhëtoi për në Egjipt për nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.