Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorime në BKS, dëmi mbi 1 milion euro

 
   

Pas përfundimit të aksionit të gjerë policor kundër krimeve ekonomike, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka dalë me informacionet lidhur me këtë aksion.

Ai tha se këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore, fjala është për keqpërdorimet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

“Cak i hetimeve, janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish-drejtori i departamentit të financave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, që duke keqpërdorur autorizimet që i janë besuar nga BKS-ja, u kanë mundësuar personave të ndryshëm, përmes personave të ndryshëm dhe vetvetes  që të bartin transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm të madh BKS-së”, tha ai.

Po ashtu, Kryeziu bëri të ditur se të dyshuarit kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara. “Ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar që ato dokumente të dyshuara faktikisht i kanë përdorur si të mirëqena dhe përmes kësaj i kanë shkaktuar dëm Byrosë Kosovarë të Sigurimeve në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tha ai.

Ai tha se deri në këtë fazë kanë arritur që të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione që tha se kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore. “Kinse për përfaqësim, si të autorizuar, përfaqësues të personave që  më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe në vitin 2023, përderisa personat tjerë veçse kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e mëhershme 2016 dhe 2017. Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione të tjera te persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshme. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6, 800 euro e më e larta 68 mijë euro”, tregoi Kryeziu.

Kryeprokurori i Prizrenit tha se në aksionin e sotëm kanë pasur target 46 persona fizik dhe ka përfunduar aksioni me 39 persona të arrestuar, për të cilët tha se Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim.

Kryeziu tha se aksioni i sotëm ka përfshirë gjithë territorin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Klinë, Rahovec, Obiliq, Gjilan, Ferizaj e Dragash. “Nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje, kontroll dhe arrestime në ditën e sotme lidhur me këto keqpërdorime”, tha Kryeziu.

Kryeziu ka treguar se çka u sekuestrua gjatë aksionit të sotëm.

“Kemi sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme, armë, pajisje elektronike dhe gjithashtu kemi pasur bashkëpunim e koordinim të ngushtë me Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe kemi arritur t’i bllokojmë të hollat në vlerë prej 1 milion e 300 mijë e 886 euro”, tregoi ai.

Kryeprokurori i Prizrenit tha se kanë arritur t’i arrestojmë 39 persona dhe t’i ndalojnë të njëjtit, ndërsa 7 të tjerë tha se në bazë të veprimeve hetimore rezultojnë që janë jashtë Kosovës. Mirëpo, tha ai veprimet hetimore nuk do të ndalen edhe ndaj tyre, dhe secili për veprimet që i ka bërë do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

Kryeziu tha se do të kujdesen që palën e dëmtuar, BKS-në ta kompensojnë cent më cent. “Prandaj kemi sekuestruar dhe kemi ngrirë pasuri edhe më shumë se sa që ata veçse e kanë keqpërdorur, që i kemi provat. Mirëpo le të mos harrojmë se jemi në fazë të hershme dhe këtu mund të kemi edhe vepra të tjera dhe mund të zgjerohemi edhe më tutje”, tha ai.

Kryeziu konfirmoi se në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori i financave në BKS.

Kapiteni, Fatmir Karaliti tha se operacioni është organizuar në shkallë vendi për shkak të shpërndarjes së personave të dyshuar.

“Ky operacion ka përfshirë një numër të madh të zyrtarëve policorë. Edhe pse kemi pasur kushte meteorologjike të vështira sot, gjithçka ka funksionuar sipas planit.  Ky rast ka rezultuar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ka dëshmuar bashkëpunimin shumë të ngushtë që ekziston mes prokurorisë e policisë”, tha ai.