Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, tha se aktualisht kjo gjykatë qëndron mirë me trajtimin e lëndëve.
“Ka ngarkesë, nuk mund me thënë që s’ka ngarkesë me lëndë, mirëpo trajtimi i tyre bëhet brenda një afati të arsyeshëm. Kështu që mundem me thënë që në këtë aspekt nuk kemi problematikë të theksuar. Gjatë vitit të kaluar gjithsej kemi pasur në punë diku 2723 lëndë. Prej tyre janë përfunduar 2209 lëndë. Ndërsa, kanë mbete për periudhën raportuese diku për këtë vit 544 lëndë, që nënkupton që nuk është një numër i madh i lëndëve në punë edhe të gjitha mund të trajtohen me një afat të arsyeshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, aktualisht janë në kapacitetin e plotë të gjyqtarëve.
“Do të thotë i kemi të gjitha vendet e plotësuar, s’kemi pasur problematikë me mungesë të gjyqtarëve, që e ka bërë Gjykatën Supreme të veprojë komoditetin e saj të punës në këtë aspekt”, ka shtuar ai.
I pari i Supremes, shtoi se rastet se mesatarja e trajtimit të lëndëve në këtë gjykatë është dy deri në tre muaj.
“Ndoshta ka lëndë që trajtohet edhe më shpejt, por kjo është mesatarja. Mund ndodhë që ndonjë lëndë të ketë vonesë edhe më të madhe, po zakonisht brenda këtyre afateve vendose”, ka thënë Rexhepi.
