Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryetarja e Komisionit Evropian i shpëton mocionit të mosbesimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e kaloi lehtësisht një votë mosbesimi të enjten, pasi shumica dërrmuese e ligjvënësve të Bashkimit Evropian hodhën poshtë mocionin e paraqitur kundër saj.

Mocioni përmbante një sërë akuzash, përfshirë komunikime private me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Pfizer gjatë pandemisë së COVID-19, keqpërdorim të mundshëm të fondeve të BE-së, si dhe ndërhyrje të supozuara në proceset zgjedhore në Gjermani dhe Rumani.

Në seancën plenare të mbajtur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë, mocioni u rrëzua me 360 vota kundër dhe 175 pro, ndërsa 18 ligjvënës abstenuan, sipas raportimit të AP.

Von der Leyen nuk ishte e pranishme gjatë votimit.

Ky ishte mocioni i parë i mosbesimit ndaj një presidenti të Komisionit Evropian në më shumë se dhjetë vjet, dhe ai u paraqit nga një grup ligjvënësish të ekstremit të djathtë.