Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.
Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.
E nëse partitë politike nuk gjejnë një zgjidhje atëhere zgjedhjet e parakohshme do të jenë të paevitueshme.
Duke parë zhvillimet e fundit, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi se do bëj gjithçka që mundet që të shmang zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Unë si kryetare e Kuvendit do të bëj gjithçka që është në dorën time që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” deklaroi ajo.
Tutje, ajo nënvizoi rëndësinë e arritjes së një qëndrimi të përbashkët politik dhe bashkëpunimit ndërmjet partive.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjejmë një rrugë të përbashkët dhe të kemi një qëndrim të përafërt, sidomos në raport me zgjedhjen e presidentit,” tha Haxhiu.
Sipas saj, ka shenja të vullnetit politik për bashkëpunim, duke përmendur edhe ftesat e bëra nga kryeministri Albin Kurti ndaj partive politike.
Halili: Shmangia e zgjedhjeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut

Nijazi Halili
Në lidhje me këtë, temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
Ai tha se deklarata synon ruajtjen e stabilitetit politik duke shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Por, ai thekson se kjo duhet bërë gjithmonë duke respektuar ligjin dhe kushtetutën, në mënyrë që të mos dëmtohet legjitimiteti i institucioneve.
“Deklarata e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për angazhimin në shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasqyron një qëllim politik për stabilitet institucional. Prandaj, çdo strategji për të shmangur zgjedhjet duhet të ndërthuret me respektin për procesin juridik dhe të mbështetet në mekanizma kushtetues, për të mos komprometuar legjitimitetin e institucioneve”, u shpreh ai.
Tutje, profesori shton që roli i Haxhiut është jo vetëm politik, por edhe institucional, pra ajo duhet të garantojë që çdo vendim të jetë në përputhje me ligjin dhe të ruajë besimin e qytetarëve.
Gjithashtu, ai thotë se shmangia e zgjedhjeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut, kompromisit politik dhe respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Në këtë kontekst, roli i kryetares Haxhiu nuk është thjesht politik, por edhe institucional, ajo duhet të sigurojë që çdo veprim i Kuvendit të jetë në përputhje me ligjin, duke ruajtur stabilitetin dhe besimin qytetar.
Kombinimi i dialogut politik, kompromisit mes partive dhe respektimi strikt i vendimit të Gjykates Kushtetuese të Kosovës është rruga e vetme për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme pa shkelur kuadrin ligjor”, foli Halili për “Bota sot”.
Gashi: Problemi nuk është nëse zgjedhjet duhen shmangur apo jo, por pse Kosova ndodhet vazhdimisht në prag krizash politike

Eduard Gashi
Ndërsa, analisti politik, Eduard Gashi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se, deklaratat për shmangien e zgjedhjeve mund të interpretohen si përpjekje për të ruajtur stabilitetin aktual dhe kontrollin politik.
Po ashtu, ai vëren se klima politike shpesh karakterizohet nga tensione dhe përplasje, gjë që mund të ndikojë në krijimin e një stabiliteti më të qëndrueshëm.
“Në një moment kur Kosova ka nevojë për qartësi strategjike dhe kohezion institucional, deklaratat e fundit të Albin Kurti dhe figurave të afërta me të, përfshirë Albulena Haxhiu, për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duken më shumë si përpjekje për të ruajtur kontrollin politik sesa për të ndërtuar stabilitet të qëndrueshëm.
Në thelb, problemi nuk është nëse zgjedhjet duhen shmangur apo jo, por pse Kosova ndodhet vazhdimisht në prag krizash politike. Nën udhëheqjen e Lëvizja Vetëvendosje, është vërejtur një stil qeverisjeje që shpesh privilegjon konfrontimin ndaj kompromisit — si në raport me opozitën, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ai.
Duke vazhduar, analisti shpreh shqetësim se tensionet me aleatët perëndimorë mund të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të krijojnë përshtypjen e një qasjeje më të njëanshme.
Gjithashtu, ai thekson se, shmangia e zgjedhjeve nuk e zgjidh problemin kryesor, që është mungesa e besimit dhe kompromisit në politikë, të cilat janë të nevojshme për stabilitet afatgjatë.
“Ky është një zhvillim shqetësues për një shtet si Kosova, i cili mbështetet thellësisht në aleancën me Perëndimin — veçanërisht me United States dhe European Union. Retorika e fundit dhe tensionet e përsëritura me aleatët kanë krijuar perceptimin se qeveria aktuale po lëviz drejt një pozicioni më unilateral, duke rrezikuar kapitalin diplomatik të ndërtuar me vështirësi ndër vite.
Deklaratat për shmangien e zgjedhjeve mund të interpretohen si pragmatike në sipërfaqe, por ato nuk adresojnë thelbin: mungesën e një kulture të kompromisit. Demokracitë funksionale nuk i shmangen zgjedhjeve për të ruajtur pushtetin; ato i përdorin institucionet për të ndërtuar konsensus. Kur ky konsensus mungon, zgjedhjet bëhen mjet legjitim për të rivendosur balancën.
Në praktikë, shmangia e zgjedhjeve kërkon diçka që aktualisht mungon: besim politik. Ky besim nuk mund të imponohet nga një parti e vetme, pavarësisht mandatit elektoral. Ai ndërtohet përmes dialogut, përfshirjes dhe respektimit të aleatëve strategjikë”, shpjegon analisti.
Në fund, ai sugjeron se për të shmangur zgjedhjet në mënyrë të besueshme, qeveria duhet të përmirësojë raportet me aleatët dhe të tregojë më shumë gatishmëri për dialog e kompromis brenda vendit.
“Nëse qeveria e Kosovës dëshiron vërtet të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme, duhet të bëjë një kthesë të qartë:
• të rivendosë marrëdhënie të besueshme me Perëndimin,
• të ulë tonet konfrontuese ndaj opozitës,
• dhe të pranojë se kompromisi nuk është dobësi, por themel i demokracisë.
Përndryshe, çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet do të duket si një manovër taktike — jo si një zgjidhje strategjike për stabilitetin e Kosovës”, përfundoi analisti Gashi për “Bota sot”.
