Gjatë ditës së sotme, Klankosova.tv ka raportuar se infermierët e QKUK-së për muajin shkurt nuk do t’i marrin paratë e kujdestarive të mbajtura.
Gazetarja e Klan Kosova, Arbreshë Uka ka mësuar se bëhet fjalë për nga 7-8 kujdestari për secilin, që i bie në vlerë të rreth 250 eurove.
Këtë e konfirmoi edhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve në QKUK, ku Blerim Morina tregoi se e ka nënshkruar vendimin për marrjen e pagës për këtë muaj, por jo edhe atë të kujdestarive, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, tani televizioni merr vesh se pagesë për kujdestari nuk kanë marrë as stafi i Qendrës së Mjekësisë Urgjente (QMU) në Prishtinë.
Madje, në këtë qendër të mjekësisë primare, kujdestaria nuk është paguar gjatë muajit janar dhe shkurt.
“Desha të informoj se stafi i QMU (Qendrës së Mjekësisë Urgjente) në Prishtinë janë pa kujdestari edhe në muajin janar edhe tani në muajin shkurt, dmth që dy muaj”, ka thënë një burim i gazetares Uka.
Në adresë të Klankosova.tv kanë ardhur informacione se kujdestaria nuk është paguar as për mjekët e QKUK.
Ndërkaq, Qendra Klinike Universitare e Kosovës është deklaruar pas ankesës për mospagesë të kujdestarive ndaj mantelbardhëve në QKUK.
Në një përgjigje për gazetaren e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, nga zyra për media e QKUK-së thuhet se gjatë kësaj periudhe janë përballur me kufizime buxhetore.
“Bazuar në të dhënat nga Departamenti i Financave, lidhur me për mospagesën e kujdestarive dhe ndërrimit të stafit mjekësor, ju informojmë se gjatë kësaj periudhe institucioni është përballur me kufizime buxhetore, si dhe me kërkesë nga Thesari për reduktim të përkohshëm të listës së pagesave. Për më tepër, ligji i buxhetit ende nuk ka hyrë në fuqi, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në dinamikën e realizimit të plotë të pagesave”.
“Theksojmë se kjo situatë nuk ka qenë rezultat i një vendimi për të veçuar një kategori të stafit, por pasojë e rrethanave buxhetore në ekzekutimin e pagesave. Brenda mundësive financiare në dispozicion, një pjesë e pagesave është realizuar pjesërisht, mirëpo për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme nuk ka qenë e mundur të përfshihen të gjithë përfituesit në këtë faze”, ka thënë mes tjerash QKUK.
Më tej në përgjigje theksohet se me miratimin dhe hyrjen në fuqi të buxhetit, do të bëhet kompensimi i plotë i të gjitha obligimeve të mbetura, përfshirë edhe pagesat për muajt paraprakë.
“Ju sigurojmë se institucioni mbetet i përkushtuar ndaj përmbushjes së obligimeve ndaj stafit shëndetësor dhe trajtimit të barabartë të të gjitha kategorive”, theksoi QKUK.
