Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Kujtim Hajdaj: Heshtja institucionale po mban të pazbardhura vrasjet politike në Kosovë

 
   

Kujtim Hajdaj nga Guxo, ka përkujtuar Enver Malokun, të vrarë më 11 janar 1999, duke kërkuar guxim institucional për zbardhjen e vrasjes së tij dhe të vrasjeve të tjera politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ai thekson se këto krime nuk ishin ordinere, por të orkestruara politikisht, dhe ngre përgjegjësinë e institucioneve, veçanërisht të LDK-së dhe PDK-së, për mungesën e veprimeve konkrete drejt drejtësisë.

Hajdaj bën thirrje për angazhim të përbashkët për ndriçimin e të gjitha vrasjeve politike dhe nderon figurat e vrara, përfshirë politikanë, ushtarakë dhe gazetarë.

Shkrimi i plotë:

I vrarë me 11 janar 1999..,tash e 24 vite më parë, Enver Maloku ishte i ekzekutuar përmes atentatit të orkestruar më urdhër të organizatës kriminale në Kosovë.

Në këtë ditë kur po e shënojmë vrasjen e Enver Maloku nga dora ekzekutuese kriminale, pyetja e parë që i bie ndërmend çdo njeriu me logjikë të shëndoshë në Kosovë, është: Pse nuk po ka guxim të kërkohet ndriçimi për këtë vrasje dhe shumë të tjera që janë kryer gjatë dhe pas lufte në Kosovë…!?

Ajo që thuhej deri vonë…’shpresojmë’ nuk ekziston më! Këtu nuk bëhët fjalë vetëm për shpresë, por për detyrim që institucionet e Kosovës e kanë ndaj familjeve të të dëmtuarve, dhe pyetja e radhës është kjo – vlen pikësëpari për strukturat e larta udhëheqëse te LDK: A i është bërë ndonjëherë kërkesë ndonjë organi të drejtësisë në Kosovë për zbardhjen e kësaj vrasje dhe të tjerave politike në Kosovë!?

Them politike, sepse ato nuk ishin ordinere apo që janë bërë për hasmëri ndaj dikujt tjetër. Ishin politike dhe institucionale! Prandaj, është kërkuar dje dhe po kërkohet edhe sot…, që të ndalohet me deklarata të rrejshme të radhës që dikush po e bënë për marketing të vetin politik. Këto vrasje nuk janë enigmë e pa zgjidhur…, e meqenëse është kështu, atëherë kush pra është pengesë e mos zbardhjes së tyre?

Me siguri, përgjegjësia për ato vrasje binte vetem mbi një adresë, dhe ajo ishte SHIK që e patë formuar LPK dhe e kontrollonte Hashim Thaqi. Por…, ku ishte dhe ku është edhe sot roli i LDK në zbardhjen e këtyre vrasjeve, meqenëse të gjitha ato figura të larta të ekzekutuara i përkisnin kësaj partie politike !?

Pikësëpari, le të kuptohet se LPK si lëvizje që ishte ekstreme e majtë dhe pas lufte e konvertuar në parti politike si PDK, ka investuar me vite të tëra që të mbajë peng LDK – në koalicion të përbashktë qeveritar – që ajo të mos guxojë të ndërmarrë asnjë hap që të kërkoj ndriqimin e atyre vrasjeve kriminale, por jo vetëm…, por të hesht edhe ndaj krimeve tjera ekonomike dhe korrupcionit që iu janë bërë shtetit tonë, veçmas pas njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës me 2008, të dominuar dhe kontrolluar nga qeveria e vjedhjeve dhe mashtrimit të Hashim Thaçit.

Dhe meqënëse është kështu…, atëherë as unë e as ndonjë mendje tjetër e shëndoshë njerëzore në Kosovë, nuk do të besojë se ka patë apo edhe do të ketë paqe politike e as koalicion të mirfilltë bashkëqeverisës (në mos për interesa të përbashkëta të pushtetit) në mes LDK dhe PDK në të mirë të Kosovës, derisa këto të dyja mos të angazhohen së bashku të kërkojnë zbardhjen e të gjitha vrasjeve që kanë qenë të orkestruara me urdhër të lartë ndaj figurave të shquara politike, bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit tonë historik Ibrahim Rugova, dhe ndaj ushtarakëve dhe gazetarëve tjerë të vrarë pas lufte në Kosovë. Lavdi e përjetshme Enver Malokut dhe të gjitha figurave tjera kombëtare…, atyre politike, ushtarake dhe gazetarëve të rënë pabesisht nga dora e zgjatur tradhtare në Kosovë!