Policia e Kosovës ka reaguar ndaj publikimeve të portalit VOX Kosova lidhur me gjendjen e kampit Kampi Enver Zymeri, duke i cilësuar ato si manipulime dhe të papërputhshme me realitetin në terren.
Në reagimin zyrtar thuhet se kampi plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve policore, përfshirë qëndrimin e zyrtarëve policorë, aktivitetet operative, trajnuese dhe ato logjistike.
Sipas Policisë së Kosovës, gjendja aktuale e kampit është ndjeshëm më e përmirësuar falë investimeve të vazhdueshme. Institucioni bën të ditur se në vitet e fundit janë realizuar 12 projekte investuese në këtë kamp, ndërsa projekte të tjera janë ende në proces realizimi.
Policia gjithashtu thekson se fotografitë e publikuara nga portali paraqesin vetëm disa hapësira jofunksionale që janë nxjerrë jashtë përdorimit, pasi janë zëvendësuar me objekte dhe lokacione të reja. Sipas reagimit, publikimi i këtyre pamjeve përbën sulm ndaj institucionit dhe është bërë në mënyrë të papërgjegjshme, duke mos reflektuar gjendjen reale në terren.
“Pamjet e publikuara, pavarësisht kohës kur janë incizuar, janë sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe publikim në shpërputhje me faktet dhe kushtet aktuale në kamp”, thuhet në reagim.
Policia shton se kampi “Enver Zymeri” është objekt me ndjeshmëri të lartë sigurie dhe për këtë arsye detajet e brendshme nuk mund të bëhen publike.
Në fund të reagimit, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve dhe thekson se do të vazhdojë të kujdeset për krijimin e kushteve të mira të punës për zyrtarët e saj, veçanërisht për njësitet speciale operative.
Institucioni gjithashtu u kërkon mediave dhe qytetarëve që të mbështeten në burime zyrtare dhe të verifikuara përpara se të publikojnë apo shpërndajnë informacione që lidhen me çështje të sigurisë dhe policisë.
