Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Kur guximi bëhet rrezik, ekspertët: Adoleshentët rrezikojnë më shumë të mbyten, 5 këshilla për prindërit

Çdo verë fokusi i diskutimit për mbytjet është te fëmijët e vegjël, por ekspertët paralajmërojnë se edhe adoleshentët janë po aq në mos më shumë  të rrezikuar. Sipas të dhënave nga National Water Safety Forum, djemtë e moshës 10 deri në 19 vjeç janë ndër grupet më të prekshme nga mbytja. Shpesh e teprojnë me vetëbesimin, nënvlerësojnë rreziqet dhe shpesh rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.


Dr. Jill Nash, profesoreshë në Universitetin e Bournemouth, thekson për The Conversation se “mbytja ndodh shumë shpejt dhe shpesh pa paralajmërim”. Ajo ofron pesë këshilla të vlefshme për prindërit që duan të mbrojnë fëmijët e tyre adoleshentë nga rreziqet në ujë.

1. Vendosni rregulla të qarta përpara çdo daljeje
Para se fëmijët të shkojnë në det, lumë apo liqen, kujtojuni rregullat bazë: të mos notojnë vetëm, të mos futen në ujë pas errësirës dhe të kërkojnë ndihmë nëse shohin dikë në rrezik. Rregullat e thjeshta dhe të përsëritura ndihmojnë në krijimin e zakoneve të sigurta.

2. Përdorni histori reale si mësim
Rastet tragjike, tregojnë sa i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm mund të jetë uji. Historitë e tilla mund të ndihmojnë adoleshentët të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të bëjnë zgjedhje më të sigurta.

3. Diskutoni ndikimin e grupit shoqëror
Studimet tregojnë se djemtë janë më të prirur për sjellje të rrezikshme kur janë në grupe me djem të tjerë, ndërsa praninë e vajzave e bën grupin më të kujdesshëm. Prindërit duhet të inkurajojnë vajzat e tyre të flasin kur ndjejnë që dikush po vepron me rrezik dhe të thonë hapur “jo” ndaj aktiviteteve të rrezikshme në ujë.

4. Shkatërroni mitin e “të paprekshmit”
Edhe notarët më të mirë mund të përballen me rreziqe fatale në natyrë, për shkak të rrymave të forta, temperaturës së ulët të ujit ose terrenit të pasigurt. Kujdesi duhet të jetë gjithmonë prezent, pavarësisht përvojës.

5. Edukoni për guximin e vërtetë
Dr. Nash thekson se “guximi nuk qëndron në rrezik, por në aftësinë për të thënë jo dhe për të mbrojtur shokët”. Sidomos baballarët mund të luajnë rol të rëndësishëm në edukimin e djemve për të marrë vendime të mençura dhe të përgjegjshme.

Në një vend si Shqipëria, ku vera lidhet ngushtë me detin dhe ujin, kjo bisedë me adoleshentët është më e rëndësishme se kurrë. Siguria në ujë nis nga shtëpia dhe nga bisedat e hapura me fëmijët tanë.

/vizionplus.tv